Po vazhdojnë homazhet në nder të Nexhmije Pagarushës, në Teatrin Kombëtar. Aty ishte edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani së bashku me delegacionin e LDK-së.
Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar me anëtarët e kabinetit ka ngushëlluar familjen e Nexhmije Pagarushës dhe ka vendosur lule para fotografisë së saj në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku familjarët kanë hapur dyert për ngushëllime.
“Natyrisht e gjithë Kosova dhe gjithë populli shqiptarë janë ne dhimbje te mëdha. Një njeri qe ka bere shume jo vetëm për artin e kulturën por e gjithë popullin. Në emër të Kuvendit të Kosovës, dhe në emër të të gjithëve që e deshën zërin e saj, i shprehi ngushëllime familjes”, tha kryeparlamentarja Osmani.
Osmani tha se Nexhmije Pagarusha nuk ishte vetëm këngëtare, por një personalitet që rrezatonte dashuri dhe mirësi.
“Ajo do të vazhdojë të jetë shembull për të gjitha ne (gratë). Ajo më kujtohet në çdo periudhë të jetës sime. Nuk ka periudhë të jetës sonë që nuk lidhet me këngët e saj. Nuk ishte vetëm një këngëtare, por një personalitet që rrezatonte dashuri dhe mirësi”, tha Osmani, shkruan gazetaexpress.
Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për artisten Nexhmije Pagarusha, e cila i dha vlera të përjetshme kulturës dhe artit tonë kombëtar, presidenti Thaçi e ka shpallur ditën e sotme, ditë zie.
Në pajtim me legjislacionin në fuqi, në ditën e zisë, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.