Osmani nga Çikatova e Vjetër: Serbët kishin qëllim ta zhduknin popullin shqiptar nga faqja e dheut

Prishtinë | 17 Pri 2021 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe në Çikatovë të Vjetër në komunën e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

Osmani tha se kjo masakër tregon se qëllimi i serbëve ishte shfarosja e kosovarëve nga faqja e dheut, njofton Klan Kosova.

“Jemi këtu për të nderuar të gjitha viktimat e masakrës së 17 prillit në Çikatovë të Vjetër. Por, edhe të gjithë dëshmorët e të rënët e këtij fshati, të gjithë martirët të cilët ranë më mënyrë që ne sot ta gëzojmë lirinë”.

“Është një prej masakrave më mizore, më të tmerrshme të luftës së fundit në Kosovë e cila e dëshmon qartë qëllimin shfarosës që Serbia e kishte ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Kushdo që mund të ketë dyshime rreth këtij qëllimi mjafton që të vijë këtu në Çikatovë të Vjetër pastaj të shkojë edhe në Poklek dhe ta shoh se si serbët nuk kursyen as më të vjetrit e nuk kursyen as fëmijët e vegjël për të treguar kështu që qëllimi i tyre nuk ishte vetëm spastrimi etnik por ishte që ta zhduk popullin shqiptar nga faqja e dheut”, tha Osmani.

Presidentja tutje tha se e kemi si borxhin më të lartë njerëzor që të sigurojmë drejtësi për secilin të rënë.

“Ne që sot jemi të gjallë falë sakrificës së atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, e kemi borxhin më të lartë njerëzor që të sigurojmë drejtësi për secilin prej tyre sepse vetëm ditën kur të ketë drejtësi për të gjithë të rënët për lirinë tonë atëherë edhe paqja dhe stabiliteti në rajonin tonë do të jetë i mundur”, tha presidentja Osmani.

Të ngjashme