Presidentja Vjosa Osmani nuk do ta dekretojë Ligjin për pagën minimale pa vendim të Gjykatës Kushtetuese, ka njoftuar këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.
Të premten, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e çoi në Kushtetuese Ligjin për pagën minimale, duke kërkuar shqyrtim shtesë.
“Gjykata Kushtetuese sot e ka njoftuar Presidenten Osmani se grupi parlamentar i AAK-së dhe dy deputetë të tjerë kanë kërkuar shqyrtimin e kushtetueshmërisë së Ligjit për Pagën Minimale. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani nuk do ta nënshkruajë këtë ligj, përpara se të kryhet shqyrtimi në Kushtetuese”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidentes Osmani.
Ligjin për pagën minimale ka kaluar në Kuvend në atë që njihet si “seanca e dajakut”. Pa deputetët e opozitës, Ligji u miratua në lexim të dytë në Kuvend me deputetët e pushtetit.Por pas miratimit, të parët reaguan veteranët e UÇK-së që nuk u përfshin në Ligj. Ata madje mbajtën një protestë tre ditë pas miratimit të Ligjit. Kanë paralajmëruar se do ta bllokojnë punën e Kuvendit nëse Ligji dekretohet nga presidentja.