Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani pak para nisjes së seancës plenare ka thënë se akoma nuk e di nëse në seancën e sotme do të jetë në rend të ditës ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.
Ajo ka theksuar se qeveria ka një vit që po e mban fshehtë marrëveshjen për demarkacion dhe se nuk do të votoj atë pa e parë marrëveshjen, raporton Indeksonline.
“Unë akoma nuk kam një informacion të tillë se kjo do të vije në Kuvend, por ajo që kam thënë vazhdimisht është se një tentativë e tillë ka për qëllim që deputetët ti vë para një akti të kryer, sepse është absurde që për një çështje kaq të ndjeshme e që kërkon një studim serioz, deputetëve ti ofrohet raporti vetëm dy ditë apo pak minuta para seancës, mirëpo deputeti që nuk e di se çka përmban në këso rrethana nuk do të duhej të votonte”, ka thënë Osmani.
Ajo ka shtuar se akoma është duke e analizuar materialin për demarkacion, duke akuzuar qeverinë se ka një vit që po e mban fshehtë marrëveshjen.