Osmani: Nuk kam asgjë për të fshehur – më sulmoni mua ditë e natë, por mos i incizoni vajzat e mia

Prishtinë | 11 Sht 2025 | 10:02 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nuk ka asgjë për të fshehur rreth shkollimit të vajzave të saj. Në një konferencë për media, ajo ka nënvizuar se vajzat e saj, të cilat shkollohen në Kosovë, janë mbrojtur sipas protokolleve të sigurisë, raporton Ekonomia Online.

Presidentja ka sqaruar gjithashtu se mbrojtja e saj e afërt nuk e ka arrestuar dje kameramanin Jetmir Mujin, teksa ky i fundit po xhironte në një shkollë private, ku Osmani i çon dy vajzat e saj. Madje, ka thënë se vetë ka kërkuar nga mbrojtja e saj e afërt që mos t’i prekë me dorë gazetarët.

“Nuk kam asgjë për të fshehur. Nëse ky paska qenë interes publik, pse nuk më keni pyetur mua? Askush s’ka dërguar pyetje. Vajzat e mia shkollohen në Kosovë, për pesë vite ishin në ‘Ismail Qemali’. Shumë prej jush e dini se keni shkuar e i keni incizuar. Ku njerëzit edhe nga Serbia kanë mundur me i pa. Prania e policisë ka mbrojtur edhe shumë e shumë fëmijë të tjerë. Prani që e kanë me protokolle të sigurisë”, ka thënë Osmani.

Në një deklaratë të enjten në Presidencë, Osmani ka thënë se ndaj saj ka pasur dhjetëra kërcënime me jetë, ndërsa Prokuroria ende nuk ka ndërmarrë veprime. Ajo theksoi se masat e sigurisë për familjen e saj janë vendosur nga institucionet përkatëse, bazuar në vlerësime të rrezikshmërisë së lartë.

“Është hera e parë që një president i vendit kërcënohet me jetë. Është bërë thirrje publike që të vritem sipas Kanunit dhe kjo është raportuar në televizione. Vajzat e mia mezi e presin ditën që të dalin pa përcjellje. Këto janë protokolle të sigurisë. U publikua edhe një gënjeshtër se policia qëndron në klasën e vajzave të mia kur ato mbajnë mësim. Vajzat e mia kanë qenë për pesë vite në ‘Ismail Qemali’. Edhe një gënjeshtër që u publikua, kinse ato kanë mbajtur mësim ndaras me nxënësit e tjerë”.

Ajo ka shtuar se incizimi i paautorizuar i fëmijëve nën 18 vjeç pa lejen e prindërve është vepër penale dhe se edhe në të kaluarën ka ndodhur një gjë e tillë.

“Gënjeshtër tjetër është se kinse mbrojtja ime e afërt e ka arrestuar një gazetar. Unë vetë kam kërkuar nga mbrojtja ime e afërt që të mos i prekin me dorë. Ata nuk arrestojnë gazetarë, kanë qenë në kryerjen e detyrës zyrtare. Ju e dini se incizimi i paautorizuar është vepër penale, dhe një nga nenet kryesore në Kodin e Mediave të Shkruara është incizimi pa leje i fëmijëve nën moshën 18-vjeçare pa lejen e prindërve. Nuk kam asnjë informacion nga kush dhe si është arrestuar dhe nuk kam pasur asnjë kërkesë”.

Në fund, Osmani ka bërë thirrje që ajo të sulmohet ditë e natë, por ka kërkuar që të mos përdoren vajzat e saj për luftë politikë. Ajo u shpreh se ka dërguar vajzat në shkollë private për shkak se ajo publike, “Ismail Qemali”, ku deri tash ndiqnin mësimet nuk plotësonte kushtet e sigurisë, që sipas Osmanit, janë kërkuar nga organet kompetente.

“Është ndryshe kur një shkollë ka vetëm një hyrje, ndryshe kur janë shumë hyrje. Madje ju vetë keni raportuar për rreziqet e ndryshme në shkolla, për armët, thikat, drogën…”, u shpreh ajo.

Të ngjashme