Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani ka thënë se ekziston një rezolutë e miratuar në Kuvendin e Kosovës që e ndalon mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
“Në vitin 2012 Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutë kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë duke vlerësuar që është shkelje e Kushtetutës, ligjeve në Kosovë, si dhe praktikave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Ajo rezolutë i pati marrë 76 vota në vitin 2012, pra ka marrë vota edhe nga pushteti i atëhershëm dhe opozita”.
“Për fat të keq që nga atëherë janë mbajtur zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. Por, fakti që janë mbajtur nuk i bën as të ligjshme dhe as në përputhje me Kushtetutën dhe praktikat ndërkombëtare”.
Kryeparlamentarja i ka reaguar kryeministrit Avdullah Hoti i cili tha se “zgjedhjet janë organizuar nga OSBE-ja”.
Ajo ka thënë se një gjë e tillë është shkelje kushtetuese për shkak që delegimi i kësaj detyre te kjo organizatë ndërkombëtare nuk është ratifikuar paraprakisht në Kuvend.
“Nëse përmendet OSBE-ja, si organizatë ndërkombëtare që e merr përsipër një detyrë të tillë, ju e dini që me Kushtetutën tonë delegimi i detyrave sovrane të institucioneve tona në raport me një organizatë ndërkombëtare mund të bëhet vetëm me ratifikim nga ky kuvend. Ka pasë raste kur në të kaluarën është deleguar ndonjë kompetencë e institucioneve të Kosovës tek organizmat ndërkombëtarë, por kurrë pa i marrë 80 vota në këtë Kuvend. Të delegohet sovraniteti tek OSBE-ja, me gjithë dashamirësinë për këtë organizatë, pa ratifikim në Kuvend nuk është në përputhje me Kushtetutën”.
Osmani ka pasë edhe disa pyetje për Qeverinë e Kosovës.
“Cila është baza ligjore? Cila është baza kushtetuese? Cila konventë ndërkombëtare e lejon mbajtjen e këtyre zgjedhjeve? Do të mund të flisnim për praktika ndërkombëtare sikur të kishim marrëdhënie diplomatike me Serbinë, dhe sikur ata të kishin ambasadë ose konsullatë të hapur në Kosovë ku qytetarët me dy shtetësi do të mund të votonin. Meqë një gjë e tillë nuk ekziston është mirë të sqarohet në këtë Kuvend pse është shkelur vullneti i këtij Kuvendi i bërë i qartë në vitin 2012 për mosmbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës”.