Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët, me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, deklaroi se mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të ketë ndarje.
Osmani bëri thirrje për bashkëpunim ndërmjet vendeve, në mënyrë që t’i shërbejnë qytetarëve.
Gjatë fjalës së saj, presidentja në detyrë theksoi se Shqipëria duhet të dënojë gjenocidin serb në Kosovë, pasi sipas saj nuk duhet lejuar që të mohohet sakrifica për liri e kryer nga qytetarët e Kosovës.
Osmani thekson se pa u vendosur drejtësia në vend, Ballkani sipas saj nuk do të jetë në paqe.
“Si përfaqësuese e institucioneve të Kosovës, si kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së presidentit, është detyrë e imja parësore që të flas me zërin që ma kanë dhënë qytetarët e Kosovës, që të paraqes kërkesat e tyre legjitime dhe që të kërkojë atë që ata e kërkojnë natyrshëm – bashkëpunimin e sinqertë, siç është mes dy motrash, mes Kosovës dhe Shqipërisë. Një bashkëpunim pa ekuivoke që në asnjë moment nuk do të duhej të kishte ndonjë barrierë, apo keqkuptim. Edhe nëse ato mund të ndërtohen, qoftë si keqkuptime apo barriera, të punojmë të gjithë bashkërisht, pavarësisht cilës parti apo institucion i takojmë, që t’i eliminojmë, sepse mbi të gjitha jemi shqiptarë”.
“Siç e thashë dje në Kuvendin e Shqipërisë, të punojmë bashkërisht që flamuri i Kosovës dhe Shqipërisë të valëviten krah njëri-tjetrit në të gjitha organizatat ndërkombëtare jo pse kjo është një çështje teknike, por është çështje fundamentale për fuqizimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës. Vërtet i kemi dy flamuj, jemi dy shtete sovrane të pavarura, por jemi një shpirt i pamposhtur dhe si të tillë do të duhej të vepronim ndërmjet nesh, por edhe para botës”.
“Kërkesa jonë si Republikë e Kosovës që Shqipëria të jetë shteti i dytë, pas Kosovës, që të dënojë gjenocidin serb në Kosovë përmes një rezolute është kërkesë legjitime që nuk do të duhej të haste në vonesa e as në pikëpyetje. Dua t’i falënderoj institucionet që kam takuar deri tani, në veçanti presidentin Ilir Meta, dhe kryetarin Lulzim Basha për përkrahjen lidhur me këtë propozim”.
“Është e domosdoshme që sa i përket krimeve të llahtarshme që Serbia ka kryer në Kosovë – nisur nga krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit deri te gjenocidi si qëllim i qartë i Serbisë që të shfarosë popullin tonë – t’i dënojmë bashkërisht dhe me një zë të qartë dhe pa asnjë pikëpyetje të vetme. Nuk ka pikëpyetje që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Mjafton të vizitohet fshati Mejë i Gjakovës ku dëshmohet se qëllimi i qartë i Serbisë nuk ka qenë thjesht spastrimi etnik, por ta shfarosë një popull të tërë nga faqja e dheut”.