Osmani pas takimit me Dvorak: Anëtarësimi i Kosovës në KiE, NATO e BE janë domosdoshmëri

Prishtinë | 24 Jan 2024 | 12:27 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvořák.

Në fokus të diskutimit ndërmjet Presidentes Osmani dhe ministrit Dvořák, ishte situata aktuale politike dhe e sigurisë, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe stabiliteti rajonal, raporton Ekonomia Online.


“Presidentja Osmani, nënvizoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës në rrugëtimin euroatlantik, duke theksuar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim,  përfshirjen në Partneritetin për Paqe, anëtarësimin në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin zyrtar.


Tutje, Presidentja Osmani i ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.


Duke nënvizuar vazhdimin e mbështetjes së Republikës Çeke në këtë rrugëtim, thuhet se Presidentja Osmani potencoi rëndësinë strategjike të përfshirjes së Kosovës në PfP, e më pas në NATO, si një garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.

Gjatë këtij takimi, presidentja Osmani theksoi se sulmi terrorist dhe agresioni i 24 shtatorit në Banjskë, i mbështetur dhe sponzorizuar nga Serbia ishte përpjekje për ta minuar paqen dhe stabilitetin si dhe nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës.


Të ngjashme