Shefja e grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku ka thënë se nuk kanë marrë asnjë ftesë nga kryeministri Albin Kurti për ndonjë takim me kryetarin Lumir Abdixhiku, e ku ka theksuar edhe se përgjegjësinë për çështjen e presidentit/es e mban partia në pushtet, pra LVV, raporton Ekonomia Online.
E pyetur rreth raportimeve se Vjosa Osmani mund të bëhet pjesë e listës së LDK-së, ajo tha se gjithçka i takon të ardhmes.
Megjithëkëtë, ajo potencoi se LDK ka shprehur gatishmërinë për dialog.
“Nuk është që jam e vetëdijshme, domethënë s’kam parë që ka një ftesë. Deri në këtë moment, partia e parë e mban përgjegjësinë për të prezantuar një emër për president edhe me e thirrë seancën me 30 nënshkrime. Deri në këtë moment s’kemi ndonjë kandidat që është prezantuar. Kemi shprehur gatishmërinë tonë që të marrim pjesë edhe në dialog, edhe në procesin e zgjedhjes ashtu siç e kemi edhe obligim, edhe siç i takon secilës parti parlamentare në një shtet demokratik. Për këtë e kemi shfaqur gatishmërinë tonë, po varet nga partia më e madhe parlamentare, e cila i ka numrat edhe për ta përmbyllur këtë proces edhe për t’i dhënë kahje. Është vërtetë për keqardhje që deri në këtë moment nuk kemi qartësi të procesit dhe nuk kemi ndonjë emër për president. Nuk kemi parë që ka ndonjë iniciativë zyrtare. Përderisa s’ka iniciativë, nuk ka as shqyrtim të ndonjë emri.
Se a ka marrë Lumir Abdixhiku ftesë për takim nga i pari i LVV-së, Lushaku e mohoi.
“Nuk e di, domethënë unë nuk jam e vetëdijshme, nuk kam parë që ka një takim. Jo, s’ka as ftesë për kryesi, as për seancë. Ne vetëm po presim që të ketë ftesa“, tha ajo.
Ajo ka hezituar të përgjigjet direkt nëse Osmani do të jetë pjesë e listës së LDK-së, sikurse u raportu një ditë më parë.
“Krejt këto janë domethënë i takojnë të ardhmes. Si parti parlamentare kemi qenë të gatshëm të marrim pjesë në dialog, në diskutime, të vijmë drejt një emri konsensual ose përmes një marrëveshjeje politike. Gatishmëria e jonë e LDK-së ka qenë totalisht në dispozicion. Varet ne numrat nuk i kemi të vetëm që të prezantojmë asnjë emër dhe as ta bëjmë zgjedhjen e presidentit. Prandaj gatishmërinë tonë e kemi ofruar dhe kemi marrë pjesë për aq sa na ka takuar“, tha Lushaku.
