Osmani: Po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti

Prishtinë | 09 Sht 2025 | 12:24 | Nga Gzim Mujaj

Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media, pas dorëzimit të komenteve në Gjykatën Kushtetuse, tha se bllokimi i kuvendit për moszgjedhjen e një nënkryetari përderisa kryesia ka kuorum, do ta cenonte në mënyre serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar Republika, raporton Ekonomia Online.

“Sapo kam dorëzuar komentet në Gjykatën Kushtetuese për rastin e fundit. I jemi përgjigjur Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e ngritur nga Lista Serbe. Kam paraqitur komentet për rastin dhe në këtë dokument kemi argumentuar se funksionimi i institucioneve, në veçanti i Kuvendit, është qenësor për ruajtjen e rendit kushtetues, por edhe për ruajtjen e shtetit sovran të Kosovës”.

“Në rrethana kur bllokohet puna e Kuvendit, përkundër faktit që kryesia ka kuorum, pamundësohet ushtrimi i sovranitetit. Bllokimi i Kuvendit për mos përzgjedhjen e një nënkryetari, përderisa kryesia ka kuorum, do ta cenonte në mënyrë serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar republika jonë”, tha Osmani.

“Po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti në tërësi. Një shtet pa institucione është shtet i dështuar. Përderisa kemi kryetar, ka kuorum dhe kryesi, Kuvendi nuk duhet të bllokohet. Pozita që i takon komunitetit serb mbetet për komunitetin serb. Askush nuk do ta zërë atë vend, ai do të plotësohet në një seancë të radhës”.

Të premten e javës që shkoj Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ka ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Masa është vendosur në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Në fund të gushtit Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin dhe katër nga pesë nënkryetarët. Votat e mjaftueshme nuk i ka marrë asnjë nga deputetët e komunitetit serb për nënkryetar të Kuvendit e kryetari i ri Dimal Basha e ka shpallur institucionin të konstituuar.

Pas këtij vendimi subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, Lista Serbe, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se me vendimin e Bashës është shkelur Kushtetuta.

Komentet e Presidentes:

Të ngjashme