Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneral-major Franco Federici, i cili e ka uruar për detyrën.
Presidentja Osmani i ka shprehur falënderimin për kontributin forcave të NATO-së në Kosovë për paqen dhe sigurinë në regjion. Presidentja Osmani më tej ka theksuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për të realizuar prioritetin kyç në menaxhimin e pandeminë COVID-19, lidhur me sigurimin e vaksinës për të gjithë qytetarët e vendit.
Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me KFOR-in në zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjithashtu, Presidentja Osmani dhe gjeneral-major Federici kanë diskutuar lidhur me inkurajimin e rekrutimit të grave në institucionet e sigurisë në Kosovë.
Presidentja Osmani ka falënderuar komandantin e KFOR-it për përkrahjen të cilën forcat e NATO-së ia kanë ofruar Republikës së Kosovës ndër vite dhe ka theksuar gatishmërinë për intensifikim të raporteve me NATO-n dhe shtetet anëtare lidhur me realizimin e orientimit afatgjatë strategjik të Kosovës, anëtarësimit në NATO.