Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani e shoqëruar nga anëtarët e Krysisë së LDK-së, Doruntinë Maloku dhe Florian Dushi, kanë pritur sot në takim përfaqësues të Misionit Vëzhgues të BE-së, ku u bisedua për procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Përfaqësuesit e Misionit Vëzhgues të BE-së u njoftuan nga Nënkryetarja Osmani lidhur me fushatën, procesin e zgjedhjeve të 6 tetorit si dhe me numërimin e rezultateve, i cili po vazhdon ende. Të dyja palët vlerësuan se procesi është zhvilluar konform standardeve demokratike.
Udhëheqësi i delegacionit të Misionit Vëzhgues të BE-së, Dominic Howell potencoi rëndësinë e këtij procesi dhe vlerësoi mbarëvajtjen.
Gjatë ditës nënkryetarja Osmani është takuar edhe me Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNDP), ku diskutoi situatën aktuale, prioritetet dhe thellimin e bashkëpunimit me UNDP.
Poashtu, Osmani është takuar me Ambasadorin e Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, me të cilin diskutoi situatën aktuale politike në vend, qëndrimet dhe prioritetet e LDK-së në të ardhmen.
Poashtu Osmani ka biseduar me Ambasadorin Çek për thellimin e bashkëpunimit mes të dyja shteteve për zhvillimin e Kosovës.