Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për vdekjen e presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassol.
Osmani tha se ai do të lë zbrazëtirë jo vetëm në postin që mbajti por edhe në skenën politike.
“Sot bota politike mbeti pa Presidentin e Parlamentit Evropian, z.David Sassoli. Ai iku befasisht, duke lënë një zbrazëtirë jo vetëm në postin që mbajti, por edhe në skenën politike, si një njeri racional, i hapur dhe evropian i dedikuar”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo tha se Sassoli e ka mbështetur Kosovën në rrugën e saj për integrim evropian.
“Një vit më parë, pata nderin ta takoj z. Sassoli në Bruksel – një takim e një diskutim që do të mbetet me mua përherë. Ai nuk ishte vetëm një profesionist i pashoq, por edhe një njeri i përkushtuar e i angazhuar, me interes të veçantë për Kosovën duke e mbështetur atë në rrugën e integrimit evropian”, ka shkruar tutje presidentja.
“Ngushëllime të sinqerta për familjen e miqtë e tij, si dhe të gjithë shtëpinë e madhe evropiane, në të cilën ai punoi me përkushtim, si një mbështetës i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Z. Sassoli u prehtë në paqe!”, ka përfunduar Osmani.