Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në New York ka takuar kryeministrin e Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Khaled Al-Hamad Al-Sabah, të cilin e ka falënderuar për kontributin e shtetit të tij për Kosovën.
Presidentja Osmani i kërkoi kryeministrit Al-Hamad Al-Sabah mbështetje në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si dhe të ushtrojë ndikim pozitiv në vendet e Organizatës Islamike, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë, duke qenë se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe i shërben stabilitetit dhe paqes në rajon, njofton Klan Kosova.
“Më tej, Presidentja Osmani shprehu gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve me Kuvajtin. Në këtë kontekst, ajo përmend praninë e ushtarëve të FSK-së në misionin paqeruajtës në Kuvajt, të cilët ndodhen në këtë shtet në kuadër të angazhimit të përbashkët me ushtarët amerikanë nga Garda e Iowas” thuhet në kumtesën e Presidencës.
Osmani dhe Al-Hamad Al-Sabah u pajtuan për ta finalizuar nënshkrimin e disa marrëveshjeve, përfshirë edhe atë mbi “Statusin e Anëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë Stacionit të tyre të përkohshëm në Shtetin e Kuvajtit”.
Ndërkaq, sa i përket aktualitetit në Kosovë, Presidentja Osmani ka theksuar se pala kosovare synon vazhdimin e dialogut me Serbinë.
“Dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë”, tha Osmani.
Të dy palët u pajtuan për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve diplomatike, si dhe mirëpritën idenë për hapjen e ambasadës së Kosovës në Kuvajt dhe atë të Kuvajtit në Kosovë.