Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka mbajtur Dëgjimin Publik për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, raporton Ekonomia Online.
Partitë opozitare nuk morën pjesë në këtë diskutim, ndërsa u tha se nuk kanë dërguar asnjë amendament.
E pranishme ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se për shkak që Kosova për herë të parë po e bën një ligj të tillë, është arsye që kaq shumë ka pasur diskutim.
Ajo tha se ndjen keqardhje për opozitën që nuk kanë dërguar asnjë amendament dhe se nuk kanë qenë as pjesëmarrës nëpër diskutime.
“Ideja është që të bëhet një ligj i mirë, të jetë i zbatueshëm dhe mos të keqpërdorët në të ardhmen. Pas marrjes së opinionit të Venecias, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë, pra me të gjitha rekomandimet e këtij komisioni”, tha ajo.
“Opinioni i Komisionit të Venecias në çështjen e Byrosë ka dhënë opsione për zgjidhjen sesi mund të ndryshojë Ligji në të mirë të praktikës ndërkombëtare, për të themeluar një Byro sa më profesionale e të pavarur dhe për të fuqizuar atë me kompetenca. Ministria e Drejtësisë në përzgjedhjen e drejtorit është bazuar në praktikat e deritanishme ligjore që kanë adaptuar institucionet e vendit, ashtu që zgjedhja të bëhet nga Kuvendi”.
Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se si institucion do të jenë të gatshëm ndihmojnë këtë Byro.
“Ajo që mund të themi është atë që e kemi parë si AKK është se mund të na ndihmojë edhe në punën tonl, dhe do të jemi të afërt që të punojmë bashkërisht dhe po ashtu që kurdo që të themelohet do ta përkrahim fillimisjt në fillimin e punës por edhe në vazhdim të saj”, tha Buleshkaj.
Gzim Shala hulumtues i lartë në IKD, pati kritika me mënyrën sesi do të zgjidhet drejtori i kësaj Byroje.
“Për aq sa mujta me lexuar raportin, thuhet se drejtorin e zgjedh shumica parlamentare dhe që do ta mbajë nën kontroll, mirëpo nuk e dimë se kush do të jetë anëtarë, si do të zgjidhet etj. etj, që e bëjnë të vështirë nëse garantohet pavarësia e këtij institucioni”, tha Shala.
Burim Tahiri nga institucioni i Avokatit të Popullit, tha se javën e ardhshme do t’i dërgojnë komentet e tyre.
“Konsiderojmë që duhet të jetë i qartë ligji dhe tek pjesa e përzgjedhjes si drejtorit. Gjithmonë duhet të jenë siguria juridike dhe afati për një gjykim kohor. Nga java e ardhshme do t’i përcjellim komentet tona”, tha ai.
Komentet do të dërgohen edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës.