Pa ShBA-në s’ka kurrfarë anëtarësimi

Prishtinë | 16 Mar 2024 | 18:32 | Nga Agron Hoti

Çdo politikan i Kosovës duhet t’ia thotë të vërtetën qytetarit, s’duhet ta gënjejë se kush është “Baba” i Perëndimit ku për shqiptarët lind dielli. E vërteta është se tërë mekanizmat evropianë dhe perëndimorë pas Luftës së Dytë Botërore janë ndërtuar nga SHBA për të mos thënë që edhe sot kontrollohen tërësisht nga SHBA. Edhe teoritë integrative të Evropës vijnë nga SHBA, pikërisht nga Ernst Haas (teoria funksionaliste në 1958) dhe Leon Lindberg (teoria intergovernmentaliste në 1963).

Kosova nuk do të mund të anëtarësohet kurrë, ama bash kurrë, në Këshill të Evropës, BE, OECD, NATO, OSBE, pa kaluar nëpër duar të Uashingtonit. Nëse të gjitha shtetet e Evropës pa përjashtim për t’u anëtarësuar në mekanizmat e lartëpërmendur kanë kaluar së pari nëpër duar të “Babës” (SHBA-së), pra alamet shtete si Franca, Gjermania, Italia, etj., atëherë Kosova s’ka se si të jetë ndryshe. Pa presion të SHBA-së as vizat s’do të na hiqeshin. Nëse Administata Trump i bënte hapur presion BE-së për heqje vizash Kosovës, ajo Biden i bënte mbyllur.

Nuk ke asnjë mundësi të vetme të anëtarësohesh në Këshill të Evropës nëse ke raporte të mjera me SHBA, aq më tepër kur Kosova është duke u përballur me Gjykatën Speciale, e cila sipas përcepsionit të ndërkombëtarëve që dashur të themelohej se Kosova sipas tyre s’po i adresonte nga brenda pretendimet për krime lufte që i binte – gjithnjë sipas tyre – se kishim probleme me Sundim të Ligjit ku Këshilli i Evropës shikon me llupë, kryesisht edhe për faktin se ishte vetë Këshilli i Evropës ai që kishte kërkuar themelimin e Gjykatës Speciale.

Mjerisht Serbia ia ka dalë pothuajse plotësisht që me taktikat e saj perfide të ekspozojë Kosovën si refuzuese të SHBA-së. Kjo sepse, Kosova duke u marrë me teknikalitete, i ka ikur fillit të problemit, pra arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, diçka që shkoi tërësisht në interes të Serbisë, e cila me tërë qenien është e interesuar që të mos arrihet kurrë dhe kurrëfarë marrëveshje me Kosovën, sepse vetëm kështu do ta bllokojë – siç e ka bllokuar – zhvillimin e brendshëm dhe njëkohësisht e konsolidimin e jashtëm të Kosovës.

Prandaj, sa më shumë që po refuzojmë SHBA-të aq më shumë po fiton terren Serbia në Perëndim dhe aq më shumë po i largohemi anëtarësimit nëpër mekanizma ndërkombëtarë të ndërtuar dhe kontrolluar që të gjithë nga SHBA-ja.

Të ngjashme