Niveli i lartë i ndotjes së ajrit ka ndikuar në shtimin e numrit të pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën e Pulmologjisë.
Kështu thotë Rukije Mehmeti, pulmologe, sipas të cilës ka vite që gjatë sezonit të dimrit, atëherë kur edhe përkeqësohet cilësia e ajrit, rritet edhe numri i pacientëve me sëmundje kronike.
“Ndotja e ambientit ndikon shumë në sëmundjet kronike dhe përkeqësimin e tyre. Mirëpo, këtu nuk është vetëm ndotja e ambientit, por edhe gjendja gripoze (gripet sezonale) në këtë kohë”, thotë Mehmeti.
“Numri i vizitave është rritur në krahasim me vitet e kaluara”, thotë ajo, por shifrat nuk janë bërë publike ende pasi që ato pritet të publikohen javëve në vijim.
Doktoresha Mehmeti thotë se personat, sidomos ata me sëmundje kronike duhet t’i kufizojnë daljet gjatë kësaj kohe kur ajri është shumë i ndotur.
“Vetëm nëse kanë nevojë të dalin, përndryshe nuk do duhet të dalin njerëzit me sëmundje kronike, pasi ndikon në përkeqësimin e gjendjes së tyre shëndetësore”, thekson ajo.
Qytetarët thonë se ndotja e ajrit po u ndikon keq në shëndetin e tyre. Fortesa Cufaj, nga Prishtina thotë se në pasojat për shëndetin mund t’i vërejë secili, ngase ato manifestohen përmes kollitjeve apo dhimbjeve të fytit e të ngjashme.
“Ajri i ndotur po ndikon shumë keq në shëndet, sa herë që kthehem në shtëpi po më bllokohet fyti, po kollitem. Mendoj se institucionet duhet ta rregullojnë sistemin e filtrimit të termocentraleve në Obiliq fillimisht, e pastaj edhe t’i ndalojnë automjetet e vjetra për qarkullim”, thotë qytetarja Cufaj.
Ajo thotë se Komuna e Prishtinës dhe komunat tjera që po ballafaqohen me ndotje të lartë të ajrit, mund të marrin si shembull vendet që tashmë ua mundësojnë qytetarëve transportin publik falas në mënyrë që ata të mos i përdorin veturat dhe kështu pakësohet ndotja.
Sipas hulumtimeve të Ministrisë së Planifikimit Hapsinor, ndër shkaktarët kryesorë të ajrit të ndotur llogaritet të jetë Korporata Energjetike e Kosovës dhe përdorimi i thëngjillit për ngrohje, sikurse edhe djegia e derivateve nga veturat e vjetra.
Termocentralet e Kosovës, ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë
Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, thonë se institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë asgjë konkrete për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Antigona Ukehagjaj, nga Departamenti i monitorimit të cilësisë së ajrit, i tha Radios Evropa e Lirë se institucionet nuk janë marrë me çështjen e ndotjes në hollësi dhe të ndërmarrin më pas masa urgjente. Kështu që sipas saj, edhe dimri i sivjemë i ka zënë autoritetet të papërgatitura për ndërmarrjen e disa masave që do të ndikonin në zbutjen e ndotjes.
“Instituti Kombëtar në vazhdimësi përcjellë cilësinë e ajrit dhe iu jep rekomandime institucioneve kompetente për eliminimin e mangësive dhe dëmtimin në shëndetin e popullatës. Kosova po përballet me situatë të keqe të ajrit, e që jemi zhytur në smog, pra që paraqesin dosje të kombinuar të ajrit me gazra dhe eurosole”, thotë Ukehaxhaj.
Por, Leutrim Sahiti nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se në bazë të matjeve që ata i bëjnë, ka tejkalime të vlerave normale të cilësisë së ajrit, ndonëse sipas tij, gjendja nuk është alarmante.
“Problemi i ndotjes së ajrit është një problem i trashëguar që nga paslufta dhe është e pamundur të ndikojmë shpejtë në reduktimin e kësaj ndotje. Janë tre faktorë kryesor që e ndotin ajrin; industria, veturat dhe përdorimi i thëngjillit”, tha Sahiti.
“Sigurisht që për këta tre faktorë jemi duke bërë veprime konkrete. Sa i përket industrisë kemi marrë përkrahje nga Bashkimi Evropian për ndërrimin e filtrave për termocentralin Kosova B dhe besoj që kur përfundon ky ndërrim, do të përmirësohet gjendja, ndonëse nuk e dimë kur do të ndodhë. Gjithashtu edhe për veturat e vjetra kemi nxjerr një udhëzim administrativ që secila veturë që i tejkalon normat e lejuara të lëshimit të gazrave në ajër, të mos regjistrohen dhe presim zbatimin e këtij udhëzimi”, tha Sahiti.
Vetëm në Prishtinë, të dhënat që ka ofruar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, tregojnë se vlerat e PM 2.5 janë disa herë jashtë normales, duke arritur në 144 grimca, sipas kësaj matjeje.
Edhe Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, në gjithë Kosovën ka vendosur monitorë për matjen e cilësisë së ajrit, ku qytetarët kanë mundësi të shohin në baza ditore se çfarë ajri thithin çdo ditë.