Shkarkimi i ish-ministrit të Ministri së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike nga Kryeministri Albin Kurti, ka bërë që Lidhja Demokratike e Kosovës të nis mocion mosbesimi për ta rrëzuar qeverinë. Këto veprime po cilëson të ngutshme dhe të panevojshme nga njohës të zhvillimeve në vend.
Profesori universitar Rrahman Paçarizi në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se vendimi kryeministrit Kurti për shkarkimin e ish-ministri Agim Veliu ishte veprim i ngutshëm dhe i panevojshëm. Ai thotë se këtij vendimi i kanë paraprirë edhe disa vendime të tjera.
“Unë mendoj që vendimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ishte i ngutshëm dhe i panevojshëm, por atij vendimi i kanë paraprirë edhe disa vendime të tjera dhe prandaj unë nuk mendoj që në këtë situatë do fajësuar dikush prej tyre qoftë Albin Kurti, Hashim Thaçi apo Isa Mustafa, secili prej tyre e kanë atë barrën e vet të përgjegjësisë për sjelljet të pa përgjegjshme në një situatë goxha të rënduar në Kosovë por edhe në planin global. Unë mendoj që ka pasur hapësirë që kokat e ftohta, të kishin marr vendime të tjera gjatë ditës së djeshme sepse, në fakt mua më vjen keq që është rrezikuar një qeveri e cila ka dëshmuar një energji, një vullnet sidomos me rastin e menaxhimit të pandemisë së Coronavirusit.”, tha Pacarizi.
Sipas Paçarizit, edhe propozimi i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nuk ka qenë veprim i duhur, ai tha që duhej trajtuar në mënyrën e duhur situate reale për tu marr një vendim i tillë.
Pacarizi thotë se liderët politik duhet të ulen dhe të bisedojnë për hir të qytetarëve të Kosovës.
“Secili vendim që është marrë në dy ditët e fundit, pardje dhe dje, ka qenë vendim i ngutshëm. Edhe thirrja e presidentit Thaçi për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, pa u trajtuar në mënyrën e duhur situata reale në vend, ka qenë veprim i ngutshëm. Edhe vendimi i Kurtit ka qenë i ngutshëm, edhe vendimi i LDK-së, që menjëherë të marr vendim për nisjen e mocionit. Nuk ka pasur vendime racionale prej këtyre nivele që janë përmendur e që kanë marr pjesë në rrëzimin e qeverisë. Mendoj që ende ka kohë që liderët politik të ulen dhe për hir të qytetarëve të Kosovës të marrin vendime të cilat në fillim mund të duken si poshtëruese për ta, por ata kanë përgjegjësi shumë të mëdha dhe duhet të sillen në raport me përgjegjësitë që i kanë”, shtoi ai.
Paçarizi e ka lavdëruar punën e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia në menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia e Coronavirusit.
“Më vjen shumë keq që të dekurajohet një punë shumë e mirë të cilën e patën nis, sidomos ministri i shëndetësisë Arben Vitia, i cili që nga fillimi i shpërthimit të krizës është angazhuar dhe ka bërë një angazhim vetëmohues dhe ka qenë i pranishëm gjatë gjithë kohës, duke e rrezikuar edhe shëndetin e tij.
Të gjitha këto veprime të gjuhen posht për shkak të kapriçiove politike dhe pamundësisë për mos gjetje të forcës të liderëve institucional e politik që t’i tejkalojnë telashet e tyre partiake dhe së paku gjatë kohës sa zgjat kjo krizë është me të vërtet për keqardhje.”, tha ai.
Pacarizi më tutje theksoi se një prej opsioneve është qeveria teknike apo qeveria gjithëpërfshirëse. Ai thotë se nuk ka shumë hapësirë që VV-ja të mbetet pjesë e qeverisë që sipas tij liderët politik nuk po e gjejnë forcën për të dal jashtë interesave partiake.
“Tani opsionet janë të shumta dhe një prej opsioneve është edhe qeveria teknike. Një opsion tjetër do të ishte qeveria gjithëpërfshirëse. Opsion tjetër mund të ishte një qeveri me VV-në pa LDK-në dhe me partitë tjera, apo një qeveri e udhëhequr nga LDK-ja pa VV-në dhe me parti të tjera opozitare apo edhe një mundësi tjetër është një qeveri e pakicës një qeveri e LDK-së me AAK-në dhe NISMA-në. Unë nuk po shoh shumë hapësirë që LVV-ja në çfarëdo mënyrë të vazhdojë të mbetet pjesë e qeverisë sepse, liderët politik dhe institucional të Kosovës nuk po e gjejnë forcën dhe kurajën e mjaftueshme për të dalë përtej interesave të ngushta partiake e personale dhe partitë politike në Kosovë vazhdimisht mendojnë për zgjedhje dhe jo për zgjidhje”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dje ka shkarkuar nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliun. Në njoftimin për medie nga zyra e kryeministrit, u tha se Veliu u deklarua kundër qëndrimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.