Pacientët e Onkologjisë detyrohen të hyjnë edhe në borxhe për t’i siguruar ilaçet

Prishtinë | 06 Jan 2023 | 08:08 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qe tri vjet, Isa Tolaj, e merr rrugën nga Deçani për në Prishtinë, për ta sjellë bashkëshorten e tij në Klinikën e Onkologjisë. Ai si çdo familjar që merr shërbime në këtë Klinikë, detyrohen t’i blejnë vetë shumë nga ilaçet që zakonisht kushtojnë shumë, raporton Ekonomia Online.

Ata shpjegojnë se pothuajse çdo javë mungon ndonjë ilaç, ndërsa sasitë e mëdha që do t’i marrin janë barna tjerë që shfrytëzohen si zëvendësim.

Disa kanë pranuar të flasin para kamerës, e disa të tjerë kanë thënë se për të siguruar një ilaç janë detyruar të hyjnë edhe në borxhe.

EO mëson se javë më parë klinika ka mbetur pa ilaçin “Herceptine”, ndërsa tani nuk ka Imunoterapi.

Nga ShSKUK-ja nuk kanë dashur të flasin për këtë, teksa thirrjeve telefonike nuk iu është përgjigjur as drejtoresha e ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raci.

Tolaj thotë se në mungesë të barnave janë detyruar t’i blejnë vetë, teksa ka fjalë miradije për stafin shëndetësor në këtë Klinikë.

“E kam shoqen këtu që tri vite. Ne detyrohemi me ble kur nuk ka, kur ka i falënderoj stafin mjekësor të cilët janë shumë të kujdesshëm. Kur nuk ka barna nuk janë fajtor këta (mjekët) por është fajtori është diku tjetër. Janë kosto të shtrenjta por deri tash nuk ka qenë nevoja që me ble shumë, kështu që tash po e shoh pacientët tjerë kur po vijnë, ka ndodh që për shkak të mungesës së barnave me u shty terapitë”.

E një tjetër që e ka sjellë shokun e tij në Onkologji, thotë se pacienti punon si punëtor higjiene. Ai thotë se me pagën që e merr ai, detyrohet të blejë barna pasi në Onkologji nuk i kanë.

“Me emër nuk e di por e di që ka kushtuar 30 euro një barna. Këto 30 euro nuk janë pak për buxhetin tonë edhe për rrogat që i kemi. Realisht unë e kam sjellë shokun këtu pacient, po i ndihmojë me i ble barnat, normal me pare të tij dhe shoku është punëtor i higjienës, pra me rrogën e higjienit duhet me u shëru”, tha ai, teksa shtoi se mjeku kujdestar i ka thënë që dy lloje të barnave janë detyruar t’i blejnë.

E një familjar tjetër, që ka dashur të mbesë anonim ka thënë se ilaçi më i shtrenjtë që është detyruar ta blejë ka kushtuar 160 euro. Madje, thotë se këtë ilaç e blenë për herë të tetë.

“Ilaçi më i shtrenjtë ka qenë 160 euro, që shumicën e rasteve e kemi blerë, nuk ka pas këtu në QKUK. Nuk ka pas as deksazon por që kujdesi është shumë i mirë. Por shpresoj se tash e mbas kjo Qeveri si ka premtuar ka me na dalë në ndihmë, sepse kemi menduar se janë vetëm tri terapi por kjo po vazhdojke shumë. I kam blerë 8 terapi dhe i kam të gjitha raportet dhe incizimet po duhet me i bë privat sepse mjeku po kërkon brenda dy-tri dite rezultatin, e me dashtë me e kry në QKUK po duhet me bë termin, ndërsa termini vjet ka qenë nga tetori deri në gusht nuk ka pas termin të lirë”.

Ekonomia Online ka tentuar të marrë një përgjigje nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur thirrjeve telefonike deri në publikimin e lajmit.  

Të ngjashme