Pacientja që qëndroi 130 ditë në spital duke luftuar COVID-19, falënderon mjekët që i shpëtuan jetën

Prishtinë | 19 Kor 2020 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Fatima Bridle është pacientja që ka vuajtur më së gjati nga COVID-19 në Britani të Madhe. Ajo ka folur për rikuperimin e saj të mrekullive pas plotë 130 ditëve në spital.

Bridle 35-vjeçare ishte sëmurë pasi ishte kthyer nga Maroku. Kaloi 105 ditë në respiratorë duke luftuar me virusin, pneumoni dhe sepsë, por tash është duke u rikuperuar

Shpreson të kthehet në shtëpi brenda pak javëve dhe të jetë pranë bashkëshortit Tracyt, që po ashtu ishte sëmurë.

Fatima kishte kaluar 40 ditë në komë dhe pati edhe trakeotomi.

“Mjekët kanë qenë të mrekullueshëm. Dua të falënderoj çdo mjekë dhe infermierë që më kanë dhënë rastin për një jetë të re. Jam e lumtur që jam këtu. Ndjehem si në ëndërr”, ka thënë Fatima për “The Sun on Sunday”.

Sekretari i Shëndetësisë i Britanisë, Matt Hancock, ka thënë se rikuperimi i Fatimas është dëshmi për punë e shkëlqyer të Shërbimit Nacional të Shëndetësisë në Britani.

Fatima dhe bashkëshorti besojnë se e kanë marrë virusin duke u kthyer nga Maroku. Vetëm pak ditë pas kthimit Fatima kishte probleme me frymëmarrje.

Mjekët konfirmuan se ajo është infektuar me koronavirus dhe u dërgua me nxitim në Spitalin e Përgjithshëm në Southampton më 12 mars.

Gjashtë ditë më vonë ajo ishte shtrirë në kujdesin intensiv.

“Në fillimin e javës së dytë më ishte thënë se është në gjendje kritike. Një infermiere më tha se ajo po lufton për jetë. Më treguan se ka pneumoni. Se po e fusin në respiratorë. Unë kisha lexuar shumë për COVID-in në atë kohë dhe kjo situatë po më vriste. Po e fajësoja veten”, ka treguar Tracy.

Më 24 mars, Tracyt i ishte thënë se Fatima nuk po reagon ndaj antibiotikëve.

“Ajo kishte qëndruar në komë për 40 ditë dhe mendova se do ta humbas. Po lutesha vazhdimisht. Po çmëndesha”, ka treguar ai.

Në fund të muajit mjekët i thanë se Fatima nuk ka më COVID, ndonëse ende po luftonte me pneumoni. Në mesin e majit, ajo ishte në gjendje të thoshte fjalët e para.

“Gjëja e parë që u tha mjekëve ishte, ‘Dua të flas me Tracyn tim’. Nuk e dinte se çfarë ndodhi dhe nuk e dinte se sa kishte qëndruar aty”, tregon Tracy.

Ndërsa u rikuperua gradualisht, Fatima ishte në gjendje të merrte frymë me dhjetë deri 20 për qind të kapacitetit të mushkërive. Në fillim mezi po mund të ecte dhe të fliste. Më pas u lejua të fliste në telefon me Tracyn.

“Kur më telefonoi, mendova se po e lënë të fliste me mua që të më thoshte lamtumirë. Ishte gjë e tmerrshme”, tregon bashkëshorti i saj.

Po ashtu goditja tjetër erdhi kur u tha se ajo kishte marrë sepsë.

Por Fatima e ka marrë veten plotësisht dhe po mund të marrë frymë pa respiratorë tash. Që nga atëherë është dërguar në një spital tjetër rehabilitimi. Ajo i falënderon mjekët që e shpëtuan.

Image

Të ngjashme