Në 20-vjetorin e të rënëve të dëshmorëve të Prishtinës është mbajtur akademi përkujtimore për nder të tyre, raporton Ekonomia Online.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli tha se 20 vite pas rënies së dëshmorëve të Komunës së Prishtinës kujtohen me krenari dhe nder veprat e tyre sublime që bënë ndaj atdheut.
“Sot kur po bëhen 20 vite jemi bashkë që me dinjitet dhe krenari të i kujtojmë të gjithë dëshmorët e kombit, të cilët me gjakun dhe sakrificën e tyre bënë rrugën e lirisë, sot ne jemi ata që me ballë hapur shohim një të ardhme ndryshe për gjeneratat e reja dhe brezat të cilët vijnë pas nesh”, tha Pacolli.
Ai tha se dëshmorët tanë asnjëherë nuk u përulën para armikut, duke pasur në parim dashurinë ndaj vendit të tyre.
“Dëshmorët ranë që veprat e tyre të bëhen dritë për ata që synojnë më shumë për vendin e tyre, ata sakrifikuan për idealin e madh dhe ruajtjen e brezave me fanatizëm ndërshqiptare duke mos u përulur asnjëherë para sfidave që u dalin përpara, ata ranë për të mos vdekur deri në realizimin e ëndrrës sonë të madhe kombëtare, duke na trasuar rrugën për të nderuar një shoqëri që kemi ëndërruar gjithmonë me parim për dashurinë me vendin duke punuar me nder e përkushtim”, tha ai.
“Sot mendja dhe kujtimi është për ata që ranë dhe dhanë çdo gjë që ne ta gëzojmë dhe festojmë këtë ditë krenar dhe ballë hapur sot jemi krenar më shumë se kurrë, sot si çdo ditë tjetër me heronj tanë për të nderuar flijimin dhe sakrificën e tyre për këtë ditë”, shtoi Pacolli.
Komandanti i Brigadës 153, Fatmir Sopi tha se tash e 20 vite krenohemi të gjithë me veprat e të rënëve duke mbrojtur atdheun e tyre, kështu edhe do të vazhdohet më tutje, raporton EO.
“20 vite dhembje, pikëllim të familjarëve për më të dashurit e tyre, 20 vite lavdi për jetën e tyre qe ranë për Kosovën , 20 vite e deri sa të jemi gjallë krenohemi që i patëm dhe ishim m eta në momentet me të rënda për popullin tonë”, tha Sopi.
Naser Pacolli nga shoqatat e dala nga lufta tha se dëshmorët si Adem Jashari me familjen e tij, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani e të tjerët do të mbeten në flakadan të përjetësuar të atdheut.
“Vit pas viti arritën në këtë vit jubilar falë jetës dhe sakrificës së familjes Jashari, heronjve Pajaziti, Haradinaj, Ramadani etj, secila ditë na lë kujtesa shpresa e ëndrra, kalojnë vite por kujtimet e tyre mbeten të freskëta, do mbeten flakadan të përjetësuar të atdheut”, tha Pacolli.
Ai shtoi se edhe brezat e ardhshëm nuk do të harrojnë veprat e tyre të cilët nuk u dorëzuan asnjëherë para armikut për të arritur lirinë e vendit.
“Ne brez pas brezi do përulemi përherë para veprave të tyre sublime, dëshmorët ishin ata që nga fushëbetejat te lodhur qëndruan dhe nuk u dorëzuan para armikut por luftuan për lirinë nga okupatori ndër shekuj”, tha ai.
Në fund të akademisë aktori Basri Lushtaku performoi me një monolog kushtuar dëshmorëve të kombit.