Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Behgjet Pacolli është ftuar në raportim në komisionin parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike për të dhënë llogari lidhur me shkeljet në shërbimin e jashtëm.
Kryetarja e komisionit Vjosa Osmani tha se do të vazhdojnë ta ftojnë ministrin e Punëve të Jashtme për raportim për shkeljet në shërbimin e jashtëm, edhe pse vazhdimisht kanë marrë përgjigje se ai nuk mund të jetë prezent për shkak të vizitave jashtë, raporton Ekonomia Online.
“Tani kemi kuotën më të lartë të emërimeve politike që kemi pasur ndonjë herë. Ne kemi ftuar ministrin e jashtëm që të raportojë mirëpo ai është përgjigje se është në udhëtime jashtë vendit”.
“Përkundër vërejtjet tona të vazhdueshme ministria e Punëve të Jashtme nuk ka marr asnjë vendim që t’i ndaloj shkeljet”.
Fitore Pacolli, nga VV-ja, tha se do të gjejnë modele përmes të cilave identifikohen shkeljet.
“Duhet të gjejmë një model t’i evidentojmë shkeljet që janë bërë në mënyrë që ta kemi më të lehtë të punojmë”.
Dukagjin Gorani, nga PSD-ja kërkoi që rastet të jemi më konkrete, raporton EO.
“Me këtë përshkrim të përgjithësuar nuk mendoj që ka efekt edhe nëse mbajmë interpelancë”.
Komisioni gjithashtu ka shqyrtuar edhe mundësinë e aplikimit të Kuvendit të Kosovës në disa organizata parlamentare.
“Janë identifikuar disa organizata ndër-parlamentare që mund të aplikoj Kuvendi. Do të ishte hap pozitiv për Kuvendin anëtarësimi në këto organizata”, tha kryetarja e komisionit Vjosa Osmani.