Aleanca Kosova e Re, ka zhvilluar takim me qytetarë dhe struktura të partisë në Gjilan, ku i pranishëm ishte edhe lideri i kësaj partie, Behgjet Pacolli, e në të cilin takim u prezantua edhe kandidati i AKR-së nga ky qytet, Arianit Ibrahimi si dhe kandidatët tjerë.
Në këtë takim presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka falënderuar qytetarët e Gjilanit për përkrahjen që këta të fundit i kanë dhënë AKR-së që nga themelimi i saj dhe këtë përkrahje po e vazhdojnë dhe sot. Sipas tij Gjilani do të mbetet bastion i fuqishëm i AKR-së.
“Përkrahja juaj për ne është përkrahje për zhvillim ekonomik të vendit, punësimin e të rinjve, forcimin e miqësisë së Kosovës me shtete perëndimore si dhe integrimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar”, deklaroi para të pranishmëve Pacolli.
Pacolli ka numëruar edhe projektet që janë jetësuar në Gjilan, gjatë këtij mandati qeverisës nga Ministritë që janë udhëhequr nga AKR, duke u nisur nga investimet në lumin Mirusha dhe lumenj tjerë, në kanalizim, në sektorin e ujërave si penda e Përlepnicës, investime në efiçiencë në shkolla, spitale etj.
Ai po ashtu foli edhe për autostradën që ka filluar të ndërtohet në këtë pjesë të Kosovës, duke theksuar që ka qenë zëshëm kundër drejtimit që ka marrë traseja e kësaj autostrade.
Pacolli foli edhe për programin e AKR-së, duke thënë se programi i AKR-së i dedikohet rinisë dhe rritjes së perspektivës së tyre.
Në fund Pacolli ka deklaruar që shteti ynë dhe liderët kosovarë duhet të këtë shumë kujdes në raport me miqtë tanë ndërkombëtar.
Në emër të degës së AKR-së në Gjilan dhe qytetarëve të pranishëm, foli sekretari i degës, njëherit kandidat për deputet, Arianit Ibrahimi, i cili falënderoi Pacollin për përkrahjen që po i jep Anamoravës dhe se sipas tij këtë do të vlerësojnë qytetarët gjilanas me 6 tetor.