Shefi i diplomacisë në Kosovë, Behgjet Pacolli, thotë se ka lexuar me vëmendje të shtuar deklaratën e Ambasadorit rus në Beograd, Alexander Chepurin, i cili ndër të tjera, kishte deklaruar: Sa i përket Kosovës, sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare, Kosova mbetet pjesë e Serbisë…
“Për çështjet e rëndësishme Rusia dhe Serbia kanë interesa të përbashkëta. Sa i përket Kosovës, sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare, Kosova mbetet pjesë e Serbisë, dhe ne e mbështesim integritetin serb”, tha Cepurin në një intervistë për gazetën ruse “Sputnik”.
Përmes një reagimi për media, Pacolli ka thënë se është vërtetë për keqardhje, që një titullar kaq i lartë diplomatik bën deklarata të tilla, që nuk i kontribuojnë aspak paqes, stabilitetit dhe ndërtimit të besimit dhe pajtimit në Ballkanin Perëndimor.
“Rusia, në vazhdimësi ka qenë pjesë e procesit të negociatave për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Mbase ka kaluar një kohë paksa e gjatë – rreth 6 vjet dhe Ambasadorit rus nuk i është kujtuar, por, po e shfrytëzoj këtë rast për t’i rikujtuar se Organi Kryesor i Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, kishte vërtetuar me vendimin e saj se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel as të Drejtën e Përgjithshme Ndërkombëtare, Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të vitit 1999 apo Kornizën Kushtetuese”, ka thënë Pacolli.
“Në këtë proces edhe shteti, që ai përfaqëson deponoi kontributet e tij me shkrim dhe me gojë. Unë, thjeshtë nuk e di se për çfarë Ligjesh dhe Rregullash tjera ndërkombëtare flet përfaqësuesi diplomatik rus. Në mbështetje të asaj që u tha më lartë, nuk mund të jap vlerësim tjetër pos atij të vazhdimësisë së pretendimeve ruse për krijimin e lajmeve të rreme dhe krijim hutie tek opinioni lokal dhe ndërkombëtarë”.