Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli është shprehur se qeverisë Kurti i mungon transparenca dhe sipas tij situata e krijuar në veri të vendit është një tymnajë e tepruar.
“Krejt ky tym që është ngritur për një gjë, për shumë pak mish në zgarë, më duket e tepruar. Unë e pyes veten kur do të kthehet policia jonë. KFOR në pikat kufitare, është një fjalim i z. Kurtit në parlamentin e Kosovës, ku kam qenë prezent ku ka folur: shkuarja e KFOR-it , serbizim i anës atje”, u shpreh ai në një intervistë për Euronews Albania.
Pacolli nënvizoi se ka frikë se edhe asociacioni i komunave me shumicë serbe do të firmoset siç ka kërkuar Serbia.
“Kemi legalizuar diçka që e kemi konsideruar ilegale, kemi legalizuar diçka që nuk është kosovare, që nuk është kushtetuese. Unë kam frikë se kjo që ka ndodh nuk do të debatohet. Ata do të instistojnë që asociacioni të bëhet siç ashtu si është nënshkruar”, u shpreh ai.
Pacolli shtoi se sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti kryeministër, kundërshton Kurtin opozitar!