Kosova s’mund të refuzojë kërkesën e SHBA-së, ka thënë Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, duke komentuar kërkesat e Washingtonit që të hiqet taksa për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, Pacolli ka thënë se do të bisedojë me kryeministrin Ramush Haradinaj për mundësinë e përgjigjes pozitive ndaj SHBA-së.
Duke folur për diplomacinë kosovare, ministri ka shprehur keqardhje që puna e tij është vështirësuar për shkak të mungesës së unitetit nga zyrtarët shtetërorë.
Ai ka pranuar se qëndrimet e ndryshme të Presidentit dhe Kryeministrit në lidhje me dialogun me Serbinë krijojnë paqartësi. Sipas fjalëve të tij, në dialogun me Serbinë, Kosova mund të bëjë disa kompromise, të cilat, sipas tij, “do të ndodhin në kuadër të demarkacionit me Serbinë”.
Pacolli shpreson që opozita në Kosovë do t’i bashkohet ekipit dialogues.