Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, në konferencën “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, nuk e fshehu ndjenjën që ka pasur gjatë kohës kur ka vizituar NATO-n.
Ai tha se u ndje i shqetësuar që ishte vetëm si figurë gjatë vizitës, por jo në cilësinë prej përfaqësuesi shtetëror, raporton Ekonomia Online.
“Kur vizitova Brukselin në të njëjtën ditë vizitova NATO-n. Isha i pranuar atje dhe mbeta pak i dëshpëruar po kaloja si figurë jo si përfaqësues. Do të doja që një ditë që gjithë përfaqësuesit e Kosovës të jenë të përfaqësuar atje”, tha Pacolli.
Zëvendëskryeministri shpreh dëshirën që një ditë edhe flamuri i Kosovës të valoj në qendrën e NATO-s.
“Sot në Kosovë valon flamuri i NATO-s dhe do të ishte e drejtë që edhe në qendrën e NATO-s të valojë flamuri i Kosovës. Kosova që 18 vite bashkëjeton me NATO-n. Kosova do të jetë një kontribuuese e denjë e saj. Ajo është e gatshme të kontribuojë që tani”, tha Pacolli.
Pacolli përmendi se sfida e Kosovës është që të jetë anëtare e NATO-s. Derisa tha se duhet punuar që të bëhet Kosova pjesë e pandashme e saj.
“Duhet të përqëndrohemi në të ardhmen dhe kjo sfidë është që Kosova të jetë shteti i ardhshëm anëtar i NATOS. Ballkani Përendimor ka pasur ndryshime të shumta për shkak të luftërave dhe sot është hapësirë e paqes gjithnjë duke iu falenderuar miqëve tanë. Jemi mirënjohës të palëkundur ndaj përendimorëve dhe SHBA-së. Mbetet detyrim i yni që ne së bashku të ndërtojmë ardhmërinë tonë që është Evropa e civilizuar. Ne duhet ta ndjejmë vetën si NATO dhe duhet të punojmë si pjesë e pandashme e saj. Kosova është shtet multietnik”, tha ndër të tjera Pacolli”, u shpreh zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës.
“Tani Kosova është e lirë, populli i Kosovës është kthyer në shtëpitë e tyre dhe ne po ndërtojmë së bashku me ju, të ardhmen tonë.Siç e shihni, Kosova nuk e ka harruar të kaluarën.Faleminderit miq të dashur. Por, sot duhet të përqendrohemi në të ardhmen dhe të shohim se si mund ta sfidojmë të arriturën e re … Dhe kjo sfidë, për Kosovën është të jetë shteti anëtar i radhës i NATO-s”
Pacolli tha se shihet nevoja për një rrugë drejt BE-së e NATO-s.
“Ne nuk kërkojmë shkurtore. Por, ne kemi nevojë për një rrugë të qartë drejt BE-së dhe NATO-s. Ne të gjithë duhet ta njohim përparimin e rëndësishëm që ka bërë rajoni në dy dekadat e fundit, lloj i përparimit që do të ishte i pamundur pa perspektivën e NATO-s dhe BE-së në tryezë. Ato janë dy anët e së njëjtës monedhë: stabiliteti që sjell anëtarësimi në NATO, rritet dhe sigurohet më tej me procesin e transformimit të reformave të BE. Së bashku ne nuk mund të harrojmë atë që është me rëndësi historike dhe strategjike”.