Dita e dytë e qëndrimit të zotëri Behgjet Pacollit në Bruksel, nisi me një takim shumë miqësor dhe të përzemërt në Pallatin Egmont me homologun e tij, ministër i jashtëm dhe zëvendëskryeministër i Belgjikës, Didier Reynders. Si të intensifikohen marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht në planin e shkëmbimeve tregtare; zhvillimet rajonale dhe bashkëpunimi për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ishin disa prej temave të diskutimit mes dy ministrave. Ministri Pacolli e njohu bashkëbiseduesin e tij me zhvillimet ekonomike në vend, me trajtimin e pakicave në Kosovë, ecurinë e dialogut me Serbinë, etj. Shefi i diplomacisë belge, u interesua për aspekte të veçanta të këtij dialogu, marrëdhëniet me EULEX dhe rrugët e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Dy bashkëbiseduesit shprehën vullnetin për të rritur bashkëpunimin në fushën e shkëmbimeve tregtare që sot janë në nivel të ulët. “Na duhet që të vijojë ndihma e Belgjikës,- tha ministri Pacolli, i cili identifikoi disa fusha të bashkëpunimit prioritar, veçanërisht për integrimin ndërkombëtar, në UNESCO, Interpol, njohjet në zonën e Afrikës, etj.
Ministri Reynders, e njohu zotëri Pacollin me një iniciativë të re të vendeve të BENELUX-it ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shumë shpejt, theksoi kryediplomati belg, do të ketë vizita të ministrave të tyre të jashtëm dhe një samit të përbashkët mes krerëve të shteteve të dy rajoneve.
Më pas nikoqiri i prezantoi zotëri Pacollit, mjedise të brendshme të Pallatit Egmont, një ndërtesë e shekullit të 16-të, dhe e përcolli atë me premtimin e një vizite të shpejtë në Kosovë.