Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur seancë solemne për nder të 20-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Seanca ka nisur me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës, derisa pas tij është intonuar edhe himni kombëtar, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i Kuvendit, Agim Kuleta, tha se mesazhi i 5 marsit të vitit 1998 ka qenë universal. Ai u shpreh se Jasharajt vendosën të refuzojnë fatin e imponuar nga të tjerët dhe u ngritën për të luftuar pa kursyer asgjë.
“Data 5 marsi ishte ngjarje lokale por mesazhi ishte universal. Jemi këtu për të kujtur atë ditë kur u luftua për të ia kthyer kuptimin jetës. Jasharajt vendosën të refuzojnë fatin e imponuar nga të tjerët. Ata fituan një vdekje të shenjtë. Lufta jonë kishte sakrificen epike kolosale të familjes Jashari. Kjo ngjarje e papërsëritshme bëri qe te njerëzit të ngjallej krenari. Ata u ngriten dhe luftuan pa kursyer asgjë. Sot duhet t’i nderojmë të rënët dhe luftarët e lirisë”, tha Kuleta.
Kryesuesi i Kuvendit tha se sipas protokollit është paraparë kryetari Shpend Ahmeti që të deklarohet në këtë seancë, por ai ka vendosur që fjalën të i’a jap nënkryetarit Selim Pacolli, i cili ka qenë luftëtar i UÇK-së.
Nënkryetari Pacolli tha se në Prekaz u bë kthesa më e madhe historike dhe se Adem Jashari ishte frymëzim për të gjithë njerëzit. Pacolli shtoi se lirinë nuk na e ka dhënë askush por populli e ka fituar vet.
“Sot është ndjenjë dhe emocion për të gjithë. Ishte dhimbje e madhe dhe sakrificë. Në Prekaz u bë kthesa më e madhe. Sot fjalët janë të vogla për sakrificën e popullit tonë. Adem Jashari ishte frymëzim. Lirinë nuk na e dha askush, lirinë e fituam vet. Mbi gjakun e dëshmorëve kemi bërë themelet e shtetit. Lavdi të gjithë ushtarëve të UÇK-së dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar”, tha Pacolli.
Fatmir Sopi, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Prishtinës, tha se sot jemi të lirë fal luftës së UÇK-së të udhëhequr nga Adem Jashari dhe mbështetja ndërkombëtare.
“Historia nuk u tregua e drejtë ndaj shqiptarëve. Në vitet e 90-ta lindi e lavdishmja Ushtria Çlirimtare. Komandanti po i bënte ballë një shteti të tërë. Pas rënies së komandantit Serbia kishte menduar se e ka frikësuar popullin, por ndodhi e kundërta. UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë të pastërt. Sot jemi te lirë falë luftës çlirimtare të udhëhequr nga Adem Jashari dhe fal SHBA-së e NATO-s. Sot po shënojmë 20-vjetorin e Epopesë së UCK-së”, tha Sopi.