Në kuadër të procesit të brendshëm zgjedhor të partisë, Aleanca Kosova e Re (AKR) ka mbajtur sot Kuvendin Zgjedhor të Degës në Lipjan.
Kuvendin me praninë e tij e nderoi edhe presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i cili para delegatëve paraqiti vizionin e AKR-së për zhvillim ekonomik. Në mesin e mysafirëve të cilët kishin ardhur për t’i ndjekur punimet e këtij Kuvendi të pranishëm ishin edhe kryetari i Mitrovicës nga radhët e AKR-së, Agim Bahtiri; koordinatori i zgjedhjeve në AKR, Vesel Makolli; sekretarja organizative e partisë, Rejhan Vuniqi; si dhe shumë zyrtarë e mysafirë të tjerë.
Pasi e falënderoi anëtarësinë e partisë, lideri i AKR-së iu drejtua delegatëve duke thënë se para tyre është një përgjegjësi e madhe. “Sot ju e zgjidhni kryetarin tuaj sipas parimeve liberale, pasi keni bërë punë të devotshme nëpër lokalitetet tuaja”, ka thënë Pacolli, i cili ka shtuar se AKR-ja do të qeverisë me mençuri dhe nuk do ta lërë Lipjanin në duart e abuzueseve.
Duke marrë shembull qytetin e Mitrovicës që udhëhiqet nga AKR-ja, Pacolli ka përmendur hapjen e urës së Ibrit, çrrënjosjen e korrupsionit si dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Kuvendi i degës më pas i ka vazhduar punimet ku në prani të 272 delegatëve, nga procesi i rregullt zgjedhor me shumicë votash kryetar i Degës së Aleancës Kosova e Re në Lipjan është zgjedhur Sabit Pacolli.
Kryetari i sapozgjedhur i falënderoi delegatët për përkrahje dhe u betua para tyre se do ta përmbushë programin e AKR-së për zhvillim ekonomik në Lipjan.
Ai tha se AKR-ja dhe Presidenti Pacolli do t’i dalin zot atdheut përmes zhvillimit ekonomik.
Më pas Kuvendi zgjodhi edhe strukturat tjera udhëheqëse të degës si dhe Kryesinë e përbërë prej 17 anëtarësh.