Pacolli ofron një Zonë të Lirë Ekonomike për bizneset japoneze

Prishtinë | 01 Mar 2018 | 17:46 | Nga

Ministri i jashtëm i Japonisë, Tarō Kōno, shtroi sot darkë pune për homologun e tij, kryediplomatin e Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili shoqërohej nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Marrëdhëniet dypalëshe në planin ekonomik, por dhe në plane të tjera ishin në qendër të kësaj darke pune, që kaloi në atmosferë miqësore të veçantë.

Nikoqiri japonez priti me shumë interes gatishmërinë e Kosovës për t’i ofruar Japonisë lehtësi për investitorët e saj, si për shembull themelimin e një Zone të Lirë Ekonomike.

Kjo Zonë e Lirë Ekonomike, sipas vizionit të shefit të diplomacisë kosovare, do të duhej të shfrytëzojë reputacionin e shkëlqyer të  bizneseve të Japonisë mike, pozicionin gjeografik të Kosovës, krahun e lirë të punës, të pajisur dhe me shkathtësi profesionale.

Për qëllim e njëjtë, Ministri Pacolli ftoi ndërmarrësit japonezë, që në kuadër të planit të Kryeministrit japonez Abe  për Ballkanin, të vendosen në Kosovë, “ e cila gjendet afër korridoreve të rëndësishme rrugore, porteve të rëndësishme të Shqipërisë dhe prej të cilës mund të eksportosh në Bashkimin Europian pa asnjë barrë doganore”.

Në lidhje me këtë, Ministri Kōno, tha se “shumë shpejt, një mision të Agjencisë japoneze i ndihmës ndërkombëtare JICA, do të vizitojë Kosovën, për të jetësuar mundësitë e reja të bashkëpunimit mes dy vendeve”.

Tutje, ai e vlerësoi shembullin e suksesshëm të kompanisë Hirano, si dallëndyshja e parë e investimeve japoneze, që duhet të ndiqet nga të tjerë investitorë japonezë.

Gjatë darkës u bisedua dhe për bashkëpunimin në fusha të tjera si ajo në kuadër të Organizatave Ndërkombëtare, në planin rajonal të vendeve respektive, etj.

Numri dy i Qeverisë së Kosovës, z. Pacolli, e ftoi homologun e tij japonez të vizitojë Kosovën, vendin e tij, që prej fundit të luftës ka përfituar një ndihmë të jashtëzakonshme bujare të taksapaguesve japonezë.

“Ne, e admirojmë Japoninë me sukseset e saj në teknologji, kinematografi, sport, etj”, tha Pacolli.

“Të rinjtë kosovarë e mësuan xhudon, duke shikuar shembujt e arritur japonezë në këtë sport dhe sot janë kampionë të botës, që ndihmohen prej Japonisë”, shtoi ai, për të ilustruar popullaritetin e shtetit të madh aziatik në rininë e Kosovës dhe në shoqërinë e saj në përgjithësi.

Prej bisedës u vendosën piketat për bashkëpunimin mes dy vendeve në të ardhmen e afërt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme