Përfaqësimi diplomatik i Republikës së Kosovës në Kostarikë është një rezultat i rëndësishëm i punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm, që t’i ri-hapim dyert e të forcojmë marrëdhëniet me shtetet që e kanë njohur Kosovën, ndërkohë që të lobojmë fuqishëm tek ato jo-njohëse nëpërmjet ndërtimit të miqësive të reja.
Kjo do të mund të arrihej nëpërmjet një prezence të shtuar diplomatike të Kosovës gjithandej nëpër botë dhe me një diplomaci proaktike, gjë e cila edhe po ndodhë.
Kështu e ka vlerësuar kreu i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, akreditimin e Ambasadorës së Republikës së Kosovës në Panama, Zana Rudi, si Ambasadore jo rezidente edhe në shtetin e Kostarikës.
Ambasadorja Rudi, të premten më 13 Prill, i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit në detyrë të Kostarikës, Helio Fallas Venegas, si dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të këtij shteti, Manuel Antonio Gonzalez Sanz.
Kostarika e kishte njohur Pavarësinë e Republikës së Kosovës në ditën e njëjtë që ajo ishte shpallur, më 17 Shkurt, 2008, ndërkohë që marrëdhëniet në mes dy vendeve kanë shënuar ngritje të vazhdueshme që nga atëherë.