Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se pas kalimit të të gjitha procedurave është duke u bërë e mundur deportimi i Marko Gjuriqit, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, i arrestuar nga Policia e Kosovës në Mitrovicën Veriore.
Gjuriq u soll i prangosur nga Mitrovica në stacionin policor në Prishtinë.
Ky është postimi i plotë i ministrit Pacolli në profilin e tij në “Facebook”:
“Sot Policia e Kosovës ka vepruar sipas ligjit të vendit tonë. Në Veri të Mitrovicës ka arrestuar Z. Gjuriq. Tani mbas kalimit të të gjitha procedurave, është duke u bërë e mundur deportimi i tij jashtë Republikës së Kosovës.
Atij i është tërhequr vërejtja disa herë që ti respekton ligjet e Kosovës, siç duhet respektuar ligjet e nikoqirit, çdo qytetar, kudo që shkon.”