Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Aleanca Kosova e Re (AKR), Selim Pacolli, ka vizituar lagjen e ashtuquajtur “Herticët”, në të cilën gjendet objekti i vjetër i shkollës i viteve të 90-ta.
Platforma kryesore e Pacollit është ndërtimi i objekteve të reja shkollore, gjithsej 10 shkolla në tërë Prishtinën, raporton Ekonomia Online.
“Platforma kryesore e jona është ndërtimi i 10 shkollave të reja në mënyrë që të zvogëlohet intensiteti i nxënësve në shkollat tjera. Poashtu kjo shkollë ka vë themelet e shkollës së parë shqipe, dhe kjo duhet të ruhet si monument turistik kulturor në lagjen e Herticëve”, tha ai.
Ndërsa banori i kësaj lagje Ahmet Hertica, i cili ka lëshuar shtëpinë e tij si objekt shkolle në vitet e 90-ta tregon se regjimi i asaj kohe ka detyruar pas një kohe që ta mbyll atë objekt duke e kërcënuar me jetë.
“Unë kam kryer shkollën fillore duke shkuar në shkollë, por shkollën normale e kam kryer veç me provime, edhe nuk kam dashtë që fëmijët e mi me përjetua të njëjtën, edhe e kam lëshuar këtë objekt për shkollë, por serbët më kanë detyruar më mbyll se do të vramë, dhe kam vepruar ashtu”, tha ai.