Pacolli: Qeveria nuk e ka rregulluar rrugën që lidh Gollakun, po shkakton humbje ekonomike
Deputeti Behgjet Pacolli, tha se në seancën e Kuvendit ka dashur të parashtroj problemin e rrugës që lidh Gollakun, miniera e Artanës me Kamenicën dhe Prishtinën, e cila është shkatërruar nga përmbytjet e fund vitit të kaluar.
Pacolli në seancën e sotme të Kuvendit nuk arriti të flas për shkak të zhurmës që krijuan disa deputetë të VV-së.
Megjithatë, përmes një shkrimi në Facebook, Pacolli duke iu drejtuar ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliut, tha se kjo rrugë shkakton humbje ekonomike dhe rrezik për pasagjerët.
Shkrimi i plotë:
I nderuar Ministër Liburn Aliu,
Sot doja t’ju kujtoj, (edhe pse nuk ishit të pranishëm në sallën e Kuvendit dhe ku nuk mungoj as sjellja primitive e një deputetes) problemin e rrugës së vetme që lidh Gollakun, miniera e Artanës me Kamenicën dhe Prishtinën. Kjo rrugë u shkatërrua nga përmbytjet e fund vitit të kaluar. Sa kohë ka kaluar dhe askush nga Qeveria juaj nuk është marrë me rregullimin e kësaj rruge e cila sot po shkakton jo vetëm humbje ekonomike ( për shkak të minierës) por edhe është duke paraqitur një rrezik të përhershëm për pasagjerët. Nuk ka shpjegim që askush nga Qeveria nuk ka dalë, as një herë për të parë situatën në terren, e lëre më të krijoni ndonjë siguri për njerëzit e për të mos folur për fillimin e riparimit të saj.