Kryetari i Këshillit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Rrahim Pacolli, ka reaguar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje Qendra në Zvicër lidhur me pohimet se mërgata shqiptare po zhvatet në pikat kufitare përmes polisave të sigurimit.
Përmes një reagimi dërguar medieve, ai ka theksuar se vitin që lamë pas është angazhuar intensivisht, duke kërkuar edhe mbështetjen e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, që tarifat për policat e sigurimit kufitar të zbriten në kosto prej 50%, edhe pse, siç thotë ai, dhjetë kompani të sigurimeve kanë qenë kundër kësaj uljeje.
“Kam takuar kryeparlamentarin Veseli dhe kam kërkuar mbështetjen, ku nga i njëjti kemi marrë mbështetjen për zbritjen e tarifave prej 50% me qëllim të lehtësimit të jetës së bashkatdhetarëve tanë. Po ashtu, edhe këtë vit kemi bërë dhe po bëjmë përpjekje që me qëllim lehtësimi të jetës së bashkatdhetarëve të ndërtojmë një platformë online të lëshimit të polisave të sigurimit kufitar”
“Duke marrë parasysh që çështja e sigurimeve dhe mbulesa e dëmeve është komplekse kam kërkuar mbështetjen e kryeparlamentarit Kadri Veseli, e cila nuk ka munguar për as një moment, iniciativa e lëshimit të polisave online ka vetëm një qëllim që t`u lehtësohet ky proces edhe më shumë bashkatdhetarëve tanë që të mos presin në radhë të gjata në kufi”.
“Të akuzosh dikë për këto nuk është fare etike, madje emri im të lakohet me atë të Gani Thaçit është diçka diametralisht e kundërt. Unë nuk jam person që rrjedh nga qarqet politike, unë drejtoj një kompani të sigurimeve me pjesëmarrje të madhe në tregun e sigurimeve dhe për asnjë moment nuk kam përfituara as edhe një cent nga të hyrat e policave të sigurimit kufitar bazuar në aktet normative të BKS-së, jam anëtar me të drejta të plota në organet e BKS-së dhe në kuadër të këtyre organeve e mbaj postin e kryetarit të Këshillit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve”, thuhet në reagimin e Pacollit.
Më tej theksohet se Pacolli do të punojë në lehtësim dhe në ngritjen e shërbimeve për bashkatdhetarët edhe pse ka më shumë se një muaj që BKS-së është pa drejtorin ekzekutiv si rezultat i neglizhencës.
“Me këtë rast i bëj thirrje të gjitha organeve përgjegjëse të bëjnë punën e tyre pa asnjë hezitimi duke përfshirë edhe prokurorin e shtetit, ndërsa bashkatdhetarëve u bëj thirrje që të mos bien pre e deklaratave të pabazuara dhe të paargumentuara”, thotë Pacolli përmes një reagimi dërguar mediave.