Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur sot në takim, Ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviç.
Qëllimi parësor i këtij takimi ishte më shumë i karakterit të kortezisë, nëpërmjet, të cilit Ambasadorja Kapitanoviç i ka përcjellë Zëvendës-Kryeministrit të Parë dhe Ministrit të Jashtëm Pacolli urimet e qeverisë kroate me rastin e zgjedhjes dhe pranimit të detyrës së re.
Në vijim të këtij takimi, Ambasadorja kroate ka ri-konfirmuar vazhdimin e përkrahjes së fuqishme të shtetit të saj sa i përket forcimit të subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës; avancimit të proceseve të integrimit euro-atlantike, si dhe anëtarësimit në Organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, Pacolli fillimisht e ka falënderuar Ambasadoren Kapitanoviç për mbështetjen konsistencë të shtetit dhe popullit kroat ndaj proceseve nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon vendi ynë dhe më pas e ka njoftuar me prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës duke filluar nga përshpejtimi i procesit të liberalizimit të vizave për të gjithë qytetarët; shtimin e përpjekjeve dhe angazhimeve diplomatike për rritjen e numrit të njohjeve për shtetësinë e Kosovës si dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe fokusimi më i madh në Diplomacinë Ekonomike.
Të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur zotimin dhe vullnetin e dy-anshëm dhe janë pajtuar për ruajtjen, intensifikimin dhe hapjen e urave të reja bashkëpunimit në mes dy vendeve dhe dy popujve.