Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është takuar sonte në New York më ministrin e Jashtëm të Malit të Zi.
Në një njoftim në Facebook, Pacolli ka shkruar se është takuar me homologun e tij nga Mali i Zi, Srdjan Darmanovic, me të cilin kanë rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyeshme dy-palëshe.
“Diskutuam çështje të interesit të përbashkët, zhvillimet politike në vendet tona si dhe ato në Ballkanin Perëndimor. Në turin tim diplomatik vendeve fqinje dhe atyre të rajonit Mali i Zi është ndër të parat në listë. Podgoricën do ta vizitojë zyrtarisht javën e ardhshme”, ka shkruar Pacolli.
Temë e pashmangshme pritet të jetë çështja e demarkacionit të kufirit mes dy vendeve. Një marrëveshje që ishte arritur mes dy qeverive është ratifikuar nga Parlamenti i Malit të Zi, por jo edhe nga Kosova.