Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se ministri i Mbrojtes në Serbi, Aleksandar Vulin, nuk ka arsye të vijë në Kosovë dhe të nxisë urrejtje.
Këto komente Pacolli i ka bërë në konferencën për medie me ministren e Punëve të Jashtme të Austrisë, Karin Kneissl, raporton Ekonomia Online.
“Vulin është ministër i mbrojtjes në Serbi, ne nuk kemi asnjë problem me mbrojtjen tonë, ai ka probleme me mbrojtjen atje, ne kemi KFOR-in dhe forcat tona të sigurisë. Nuk ka arsye që Vulin të vijë në Kosovë, të propagandojë dhe të nxisë urrejte”.
Ai shtoi se sipas marrëveshjes së Brukselit, zyrtarët serbë për çdo ardhje në Kosovë duhet të marrin leje nga institucionet e Kosovës. Në konferencë ministri Pacolli tha se janë të përkushtuar për marrëdhënie të mira me Serbinë.
“Thirrja është aktuale. Kosova është e përkushtuar të ketë marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet në rajon. Me Serbinë jemi të përkushtuar për marrëdhënie të mira. Kemi pasur një kërkesë për ardhjen e disa ministrave serbë në Kosovë. Sipas marrëveshjes që e kemi arritur në Bruksel për çdo ardhje të zyrtarëve serbë duhet të merret leje nga institucionet e Kosovës”.
Pacolli tutje ka deklaruar se zyrtarët serbë që duan të kryejnë vizitë janë të detyruar të njoftojnë institucionet e Kosovës 72 orë para vizitës.
“Ne veprojmë sipas kësaj marrëveshjeje. Sipas kësaj marrëveshjeje të gjitha personalitetet janë të detyruara të njoftojnë Kosovën 72 orë para se të vijnë në Kosovë. Personalisht kam kërkuar të shkojë në një konferencë në Beograd por më është refuzuar dhe nuk ka ndodhur asgjë”.
Rreth 300 qytetarë serbë janë mbledhur tek vendi i quajtur “Vojni Remont”, në veri të Mitrovicës për të pritur zyrtarët serbë, të cilën kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në një tryezë diskutimi me temë “gjendja e serbëve në Kosovë”.
Ministri Behgjet Pacolli ka paralajmëruar arrestimin e zyrtarëve serbë Aleksandër Vulin dhe Marko Gjuriq, nëse të njëjtit futen në territorin e Kosovës pa leje zyrtare.
Policia e Kosovës po mundohet t’i bindë qytetarët të shpërndahen pasi zyrtarët serbë Aleksandër Vulin dhe Marko Gjuriq nuk do të jenë prezent në këtë takim.
Dhjetëra autoblinda të Policisë së Kosovës po qëndrojnë në stacionin policor në jug të Mitrovicës. Ato janë në pritje të urdhrit për t’u nisur drejt veriut në rast se paraqitet nevoja.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se prezenca e shtuar e forcave të saj në veri të Mitrovicës ka të bëjë vetëm me zbatimin e vendimit të Qeverisë lidhur me ndalesën e hyrjes në Kosovë të zyrtarëve serbë Vulin dhe Gjuriq.