Rreth 60 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, me të ardhurat që marrin, arrijnë të sigurojnë vetëm ushqimin dhe veshmbathjen, 12 për qind nuk kanë para as edhe për ushqim, ndërsa vetëm 1 për qind kanë mundësi financiare t’i plotësojnë të gjitha nevojat, e madje të blejnë banesë apo ndonjë vikend-shtëpize. Kështu thuhet në një studim të Asociacionit të Shoqatave Financiare.
Arsye për këtë, sipas hulumtimit të realizuar, janë të ardhurat e ulëta dhe çmimet e larta, me të cilat nuk mund t’i mbulojnë as gjërat elementare për jetë, e të mos flasim për shpenzime tjera, që për ta konsiderohen si luks.
“Nuk kemi aspak punë, ndodh të punojmë një herë në javë edhe atë punë fizike, kanalizime, ngarkim-shkarkim të kamionëve. Kjo gjendje është katastrofale, ndërsa kur vjen koha e votimeve, po thonë shqiptarët duhet të votojnë e pasi të kryhen, në punë i marrin të afërmit të tyre, kurse ne të varfëritë po rrimë nëpër pazar në kërkim të ndonjë pune fizike”, thotë Avni Selmani, i papunë.
“Unë kam 36 vjet stazh pune, jam me arsim të lartë, me profesion inxhiniere dhe në fund përfundoj me një pension, me të cilin nuk mund t’i mbuloj as harxhimet elementare për jetesë. Vërtet, nuk shoh dalje nga kjo gjendje e rëndë ekonomike e sociale. Shumë njerëz janë të papunë, ndërsa ata që punojnë në ndërmarrje private gjendjen e kanë edhe më të rëndë”, thotë Violeta Petrushevska, pensioniste.
Edhe Lençe Andonova, banore e Shkupit, thotë se gjendja nuk mund të përballohet me të ardhurat momentale.
“A mund të jetohet me 9 mijë denarë (150 euro) pension invalidor?! Çfarë të bëjmë me këto para?! Unë jam e papunë, ndërsa pensioni është i bashkëshortit. Nuk arrijmë të blejmë as ilaçet, s’di si ia arrijmë të mbijetojmë… Nuk marr asnjë kompensim nga shteti, gjendjen vërtet e kemi të rëndë”, thotë Andonova.
Nga Asociacioni i Asociacioni i Shoqatave Financiare thonë se gjendja e rëndë i ka detyruar qytetarët të marrin kredi që janë me kamata të larta. Por, nga kjo shoqatë thonë se mundohen që qytetarëve t’u dalin në ndihmë.
“Kjo gjendje, sipas hulumtimit, shpesh i detyron qytetarët të hyjnë në borxhe në banka apo në institucione financiare jobankare me kamata të larta, por edhe me lënien në hipotekë të shtëpive apo banesave të tyre, duke rrezikuar të mbeten edhe pa kulm mbi kokë. Arsyeja se pse neve na kërkojnë, janë kushtet apo lehtësirat që ofrojmë për shuma të vogla parash, shpejtësia dhe kualiteti i mirë i shërbimit që marrin”, thotë Filip Dimitrovski nga Asociacioni i Shoqatave Financiare.
Ndërkaq, nga Qeveria thonë se gjendja nuk është aq alarmante, siç pretendohet në hulumtimin e këtij asociacioni, duke theksuar se gjendja ekonomiko-sociale ka nisur të përmirësohet pas masave që janë ndërmarrë në veçanti në shëndetësi, arsim dhe kujdesin social. Nga Ministria e Financave rikujtojnë vendimin e Qeverisë për rritjen e pagës minimale në 14.500 denarë apo në rreth 230 euro, ndihmat për rastet sociale, rritjen e pensioneve, të pagave, si dhe subvencionet për ndërmarrjet private që të përfshihen gjithashtu në rritjen e pagave për punëtorët e tyre.