Në seancën e jashtëzakonshme, e cila po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës është duke u diskutuar për arrestimin e Drejtorit të Policisë në Mitrovicë, Nehat Thaçi.
Në emër të grupit parlamentar të PDK-së, ka folur deputeti Zenun Pajaziti, me ç’rast ka thënë që një rezolutë për lirimin e Thaçit, do të dalë nga debati i ditës së sotme.
“Duhet të kemi parasysh faktin që shumë qytetarë të Kosovës lëvizin lirshëm në Serbi, si rezultat i marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Brukseli duhet të jete i informuar për problemet me lirinë e lëvizjes. Ndërsa rasti i Thaçit duhet të cilësohet si kidnapim”, ka thënë Pajaziti.
Ndër të tjera në emër të PDK-së, Pajaziti ka bërë thirrje institucioneve që të kërkohet sa më shpejtë lirimi i Thaçit, njëkohësisht kërkoi bashkëpunim në mes të policisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
“Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse që të bëjnë më shumë për anëtarësimin e policisë nëpër organizata ndërkombëtare, siç është Interpoli, që të kemi një siguri më të madhe rreth aktiviteteve që po ndodhin, në mënyrë që të mos ndodhin raste të tilla. Gjithashtu, bëjmë thirrje regjionit, veçanërisht Serbisë, për bashkëpunim me policinë e Kosovës, dhe të mos bëjnë aktivitete të njëanshme”.