Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr.Shpëtim Robaj” në Malishevë, është pajisur edhe me dy vetura për nevoja të saj.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se njëra është autoambulancë dhe tjetra për nevojat e administratës. Sot është bërë pranimi i autoambulancës, ndërsa drejtorit të QKMF-së, Nuhi Morina, autoambulancën ja ka dorëzuar kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.
“Ne jemi duke bërë përpjekje që të investojmë në gjitha fushat që kanë të bëjnë me ofrimin e kushteve dhe shërbimeve sa më cilësore për qytetarët e Komunës së Malishevës dhe në kuadër të kësaj, edhe në ofrimin e shërbimeve sa më të mira dhe më të shpejta shëndetësore” tha Begaj, me rastin e dhënies së autoambulancës, për QKMF në Malishevë, transmeton Koha.net.
Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Liridon Hoti, ka bërë të ditur se, “në kuadër të investimeve në shëndetësi, krahas blerjes së aparaturës së nevojshme për shërbimet shëndetësore, kemi siguruar edhe dy vetura, njëra për ofrimin e ndihmës së shpejtë dhe tjetrën për nevojat e shërbimit të administratës së QKMF-së”.
Sipas Hotit, këto vetura janë blerë nga buxheti i Komunës së Malishevës dhe kanë kushtuar rreth 60 mijë euro.
Ndërsa drejtori i QKMF-së, Nuhi Morina, ka bërë të ditur se aktualisht, i kanë në funksion katër vetura të ndihmës së shpejtë dhe blerja e kësaj autoambulance, ka qenë e domosdoshme, pasi Malisheva është qendra që më së largu i ka qendra rajonale spitalore, e po ashtu edhe vetura për nevojat e administratës, ka qenë e domosdoshme për kryerjen e shërbimeve të përditshme të administratës.