Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për procesin e “dështuar” të furnizimit me tekste shkollore, meqë ka nxënës që ende nuk i kanë ato, raporton Ekonomia Online.
Hoxha ka thënë se qe dy vjet, Qeveria e Kosovës ka shumëfishuar fitimet e shtëpive botuese dhe libraritë, sepse sipas saj, blerja në procedurë ligjore nga MASHT do të ishin shumë më lirë. Ajo ka kërkuar hetim për këtë çështje.
“Sot kur po flasim një pjesë e madhe e nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e nëntë nuk i ka tekstet shkollore në banka dhe në shtëpitë e tyre. Hiç më pak se 20 milionë euro është kostoja e planifikuar, nga rreth 5 milionë sa ka qenë oferta zyrtare fillimisht nga shtëpitë botuese”, ka thënë Hoxha.
“Po e nis këtë fjalim meqë jemi në fillim shtatori, është interesant që të ritheksojmë se në këto katër vite të VV-së, viti i ri shkollor nuk ka nisur me normalitet. Sot një pjesë e madhe e nxënësve nga klasa e parë deri në të 9-të nuk i kanë tekste shkollore. Sot qytetarë kjo mënyre e pa bazë dhe e pa ligjshme ka shumëfishuar fitimet e shtëpive botuese dhe librarive, këto libra do të bliheshin shumë më lirë nga Ministria sepse tani ju shiten më shtrenjte prindërve. Kjo duhet të hetohet nga Prokuroria e Shtetit për një vendimmarrje të tillë”, u shpreh ajo.