Në Drenicë, studiuesi i ri folklorit njihej si “Antoni i përrallave”. Në pleqëri, “plaku i urtë” do t’i printe Lëvizjes për pajtimin e rreth 1.200 gjaqeve në fillim të viteve nëntëdhjetë. Kosovës po i shtrëngohej laku në fyt nga Serbia e Slobodan Milosheviqit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Shqiptarët derisa po organizoheshin e mobilizoheshin ngutshëm për ta sfiduar represionin e përnjëhershëm serb, njëherësh duhej të fashitnin belatë dhe hasmëritë ndërmjet vete.
Disa të rinj nga Peja, të mbështetur nga ish-të burgosurit politikë, nisën pajtimin e gjaqeve. Forca e Kanunit po vështirësonte kauzën për liri nga Jugosllavia, që Serbia e donte nën kontrollin e saj të hekurt.
Të rinj nga Peja, bashkë me ish-të burgosurit politikë, po u shkonin në konak familjeve që u ishin vrarë djemtë nga bashkëkombësit për shkak të ngatërresave të ndryshme, shpesh edhe banale.