Pajtueshmëri për planin, marrëveshja pritet në mars

Prishtinë | 28 Shk 2023 | 07:47 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të ndërmjetësuar nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak e Josep Borell, ka thënë se ai ishte i gatshëm të firmoste dakordimin për propozimin evropian porse, sipas tij, pala serbe ka refuzuar. E presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka thënë se nuk është arritur asgjë, meqë Kurti ka refuzuar Asociacionin.

Megjithatë, për zyrtarët e BE-së takimi ka qenë i suksesshëm. Sipas Borrellit, të dy liderët janë pajtuar se më nuk ka nevojë për diskutime për propozimin e BE-së dhe se ata kanë shprehur gatishmërinë të vazhdojnë me implementimin e marrëveshjes pas diskutimeve për modalitetet e dispozitave të saj. Takimi i radhës pritet të mbahet më 18 mars

Asgjë për çfarë janë pajtuar në parim nuk është nënshkruar të hënën në Bruksel në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri Kurti pas takimit të ndërmjetësuar nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak e Josep Borell, ka thënë se ishte i gatshëm të firmoste dakordimin për propozimin evropian porse, sipas tij, pala serbe ka refuzuar.

“Ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Kam thënë se është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, platformë solide për të ecur para. Do të ketë diskutime për planin e zbatimit, për çfarë edhe do të ketë diplomaci fluturuese siç i thonë, do të ketë takim të radhës të nivelit të lartë nga mesi i marsit, sërish me ndërmjetësimin e Z. Borrell e z. Lajçak. Falënderoj të dy për punën që kanë bërë deri tash, besoj se jemi në rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”, ka thënë Kurti në adresimin për media pas takimit.

Ai ka treguar se propozimi në preambulë ka 5 fjali dhe 10 nene. Ka thënë se dokumenti është mirë që të vihet në diskutim publik.

“Është mirë sa më shumë qytetarët që ta lexojnë vetë, por edhe profesionistët e dokumenteve të ndryshme, të marrëdhënieve ndërkombëtare e të aspekteve juridike, që të bëhet edhe ndonjë diskutim demokratik publik për këtë gjë. Plani i zbatimit do të jetë ai se si të përkthehen në terren në realitetet e dy shteteve dakordimi i arritur sipas propozimit evropian”, ka deklaruara Kurti.

Kurti është pyetur nga gazetarët për Asociacionin, por ai ka refuzuar të komentojë për të.

“Për Asociacionin është neni dhjetë, fjalia e fundit e nenit të fundit. Për këtë jam përgjigjur. Është koha të mos jap unë interpretime dominuese pikërisht në momentin kur teksti mund të lexohet nga të gjithë. Është marrëveshje që plotësisht vendos barazi të palëve, është marrëveshje e simetrisë e fqinjësisë së mirë e edhe bashkëpunimit në të ardhmen, në mënyrë demokratike e evropiane gjithmonë. Nuk kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme të nënshkruante. Kam shprehur gatishmëri e interesimin tim të nënshkruaj këtë tekst. Nuk do të ishte teksti i parë që do të nënshkruhej nga kryeministri i Kosovës e kreu i Serbisë. Në Berlin kemi nënshkruar tri marrëveshje me katër kryeministra të Ballkanit Perëndimor. Mendoj se është dëm që nuk është nënshkruar sot e u pajtuam. Duhej të rezultonte dakordimi me nënshkrim, ishte pala serbe që s’e bëri ndonëse u pajtua”, ka thënë ai.

Borrell: Vuçiq dhe Kurti janë pajtuar që më nuk ka nevojë për diskutime për propozimin e BE-së

Për takimin dhe epilogun e tij në konferencë për media ka folur shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Ai ka thënë se liderët e të dyja vendeve janë pajtuar që nuk duhen diskutime sa i përket planit evropian dhe se janë të gatshëm për të vazhduar me implementimin e marrëveshjeve.

“Fokusi i takimit ishte diskutimi në propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Është një zhvillim i rëndësishëm pasi që nga vera e kaluar ne kemi qenë të përfshirë në menaxhim të krizave, duke u fokusuar vetëm në kriza: një krizë pas tjetrës, duke tentuar të kontrollojmë tensionet në terren. Tash po dalim nga faza e menaxhimit të krizave dhe po shohim për një zgjidhje të strukturuar të normalizimit. Ky propozim – që e kemi diskutuar sot – e quajmë ‘propozimi i Bashkimit Evropian’ pasi është përkrahur nga 27 shtetet anëtare në nivelin më të lartë në takimin e fundit të Këshillit Evropian. Është propozim i aprovuar nga Këshilli Evropian: 27 shtete anëtare e përkrahën”, ka deklaruar Borrell.

Ai ka sqaruar se si nga shtatori kur për herë të parë është paraqitur propozimi, Miroslav Lajçak, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, ka udhëtuar 10 herë në Prishtinë e tetë herë në Beograd.

“Kemi pasur diskutime intensive në formate të ndryshme; të dy liderët kanë treguar sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje. Jam i lumtur të njoftoj se presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri Albin Kurti sot janë pajtuar që më nuk ka nevojë për diskutime për propozimin e BE-së – propozim që ka titullin: ‘Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë’. Dhe, pasi dy liderët janë pajtuar se nuk duhen më tepër diskutime, testi i marrëveshjes do të publikohet”, ka bërë të ditur Borrell.

Borrell ka folur për përfitimet e marrëveshjes, por edhe për hapat diplomatikë në planin e veprimit për zbatimin e marrëveshjeve.

“Kjo është marrëveshje, mbi të gjitha, për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë. Nuk është për Bashkimin Evropian: është për Kosovën dhe Serbinë… Ne kemi një histori të gjatë të marrëveshjeve që nuk janë implementuar deri më tash… Palët kanë shprehur gatishmërinë të vazhdojnë me implementimin e marrëveshjes, por duhet diskutime të mëtutjeshme për të përcaktuar modalitetet specifike të implementimit të dispozitave të marrëveshjes. Nënkupton se diplomacia fluturuese do të vazhdojë, dhe kam aranzhuar një takim tjetër mes dy liderëve në mars, me synim për të finalizuar diskutimet për aneksin e implementimit – që do të jetë udhërrëfyes i fazës së implementimit të marrëveshjes. Aneksi i implementimit është pjesë kyç e marrëveshjes dhe ende nuk është finalizuar”.

Sipas tij, Marrëveshja do të sjellë marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë në një bazë të re të qëndrueshme, dhe dialogun e ndihmuar nga BE-ja në një trajketore duke shikuar para drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse – pa së cilën asnjëra palë nuk mund të realizojë të ardhmen evropiane.

“I përgëzoj dyja palët për angazhimin dhe në të njëjtën kohë duhet më tepër punë, për të siguruar se ajo që është pranuar sot nga palët të implementohet. Është me rëndësi pajtimi, por është më me rëndësi implementimi i asaj që është dakorduar. Dhe kjo është gjëja që ende duhet të finalizohet”, ka thënë Borrell.

E sipas presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takim nuk është arritur asgjë. Ai ka treguar se janë dakorduar për të biseduar sërish, megjithatë ka shprehur pakënaqësitë e tij lidhur me kundërshtimet për Asociacionin.

“Nuk është arritur asgjë përveçqë do të bisedojmë. Si të bisedojmë kur ka kundërshtime për Asociacion të komunave me shumicë serbe. Së pari duhet të zbatohet, sido që ta ktheni, Asociacioni është në rend të parë. Pastaj do të shohim çfarë do të ndodhë tutje”, ka thënë ai.

Ai më tej ka thënë se është insistuar në zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin, por Kurti ka refuzuar.

Vuçiqi më tej ka shprehur besimin e tij se do të mund të arrihet një marrëveshje për të dyja palët.

“Më datën 18 mars duhet të shihemi në Maqedoninë e Veriut, ku Borrelli do ta vizitojë rajonin. Ka qenë një takim shumë i vështirë. Natyrisht që përmenda takimin e ardhshëm, duhet patjetër. Kanë insistuar në zbatimin e marrëveshjeve për Asociacionin, Kurti ka refuzuar. Thotë se do të arrihet një marrëveshje, por ka mbetur në situatë të paqartë. Mirë që folëm, por besoj se do të gjendet një marrëveshje për të dyja palët”, është shprehur ai.

Haradinaj e vlerëson arritje të madhe pranimin e planit LDK e PDK

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se pajtimi që të mos ketë diskutime të mëtutjeshme për planin franko-gjerman, por vetëm për implementimin e tij është arritje madhe. Sipas tij, marrëveshja është pranim faktik i Pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë.

“Po aq e rëndësishme mbetet edhe faza vijuese e bisedimeve për çështjet tjera të hapura, për të cilat dua të besoj se do te gjenden zgjidhjet më të mira, me çka do të përmbyllej edhe kapitulli i njohjes ‘de jure’ midis Kosovës dhe Serbisë” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Por, kritik ndaj qëndrimit të kryeministrit Kurti është shprehur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Sipas tij, kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale dhe ambicieve për pushtet të kryeministrit Kurti.

“Kosova humbi njohjen dhe fitoi Asociacionin. Duhet thënë zëshëm dhe qartë: tashmë është edhe zyrtarisht evidente se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, si kriter kryesor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetin tonë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Në të njëjtën linjë me PDK-në është deklaruar edhe LDK-ja. Sipas LDK-së, në Bruksel kryeministri i Kosovës është pajtuar me propozimin evropian mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë porse marrëveshja nuk e përmban njohjen e ndërsjellë.

“Nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat e LDK-së, të bëra tashmë publike. Kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë. Për më tepër, ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve”, thuhet në komunikatën e LDK-së

Të ngjashme