Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, i cili vjen nga rajoni i Gjilanit, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, i ka kërkuar kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, t’i del në ndihmë Komunës së Gjilanit, që të arrihen të menaxhohen fatkeqësitë që ndodhën nga aksidenti fatal në këtë komunë, raporton Ekonomia Online.
“Para pak qastesh në Gjilan ka ndodhë një aksident në Gjilan. Ka të vdekur dhe shumë të lënduar. Nuk e di nëse komuna ka mundësi me e menaxhuar këtë. Ftoj Qeverinë që ti dalë në ndihmë sa më shpejtë komunës. Jemi pranë familjarëve dhe atyre që kanë humbur të afërmit”, ka thënë Pajaziti.
Në anën tjetër, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se ka marrë përgjigje nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri. Sipas tij, të gjithë mekanizmat e sigurisë janë duke e përcjellë nga afër gjendjen.
“Është vërtetë shqetësuese sepse është aksident ne përmasa të mëdha. Jam dëgjuar me z. Haziri më herët. Janë të përfshirë të gjithë mekanizmat. Situata është në kontroll dhe vazhdojmë me e përcjellë nga afër këtë gjendje”, tha Haradinaj.