Mungesa e Qendrave të kujdesit për fëmijë në Kosovë ka ndikuar në mospjesëmarrjen e grave në tregun e punës. Kështu u tha në tryezën e diskutimi me temën “Qendrat e kujdesit për fëmijë në Kosovë”, organizuar nga Instituti Riinvest, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se 90 për qind e grave kanë deklaruar se dëshirojnë punë nëse do të kishin mundësi të dërgonin fëmijët në qendër të kujdesit.
Tringë Shkodra nga Instituti Riinvest prezantoi dokumentin pozicionues të përgatitur nga kjo organizatë lidhur me qendrat e kujdesit për fëmijët në Kosovë.
Instituti Riinvest beson se me rritjen opsioneve të përballueshme të institucioneve parashkollore dhe investimeve në edukim të hershëm do të rritej mirëqenia dhe pjesëmarrja aktive e grave në treg të punës.
Sipas Riinvest, studime të shumta mbështesin teorinë se obligimet familjare kontribuojnë në joaktivitetin e grave. Sipas Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), përderisa arsyet e burrave janë kryesisht të lidhura me faktorët dhe rregullatorët e tregut (kontratat e kufizuara, mungesa e arsimit/trajnimit adekuat), gratë, në anën tjetër kanë më shumë gjasa të raportojnë obligimet familjare si arsye kyç për joaktivitetin e tyre. Mesatarisht, burrat shpenzojnë vetëm 2.5 orë për obligime familjare për dallim nga 7.2 orë sa shpenzojnë gratë (e barasvlershme me pothuajse një orar të rregullt pune).
Shkodra foli për edukimin në fëmijërinë e hershme, ndikimin tek fëmijët, ndikimin në pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, dhe dha rekomandimet për këto çështje.
“Edukimi në fëmijërinë e hershme synon një zhvillim gjithëpërfshirës, social, ekonomik, njohës dhe fizik të fëmijës. Edukimi i hershëm përfshinë, nivelin parashkollorë dhe atë parafillor. Pjesëmarrja e ulët e fëmijëve në institucionet parashkollore, në vitin 2021, vetëm 6.7 për qind e fëmijëve kanë ndjekur programet parashkollore. Përballë këtij sfondi Riinvest rekomandon që te krijohen më shumë qendra te përballueshme të kujdesit dhe të implementohen në nivel më të lartë standardet e zhvillimit”, tha ajo.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani, tha që gratë duhet të kenë më shumë të drejta të përfaqësimeve. Ndërsa inkurajuese mbetet tha përfshirja e Qeverisë me buxhet për këtë çështje.
“Këndi nga i cili ne jemi nisur është mungesa e përkujdesjes në çerdhe, kjo bënë që roli i grave në shoqëri të jetë joproporcional. Temat që i kemi trajtu ka qenë si Ligji i punës, edhe pse pavarësisht synimeve të punës ka frenuar gjasën e grave për të punuar. Tema tjetër ka qenë gratë si ndërmarrëse ku sot një numër i vogël i grave në Kosovë përfaqësojnë ndonjë institut. Është inkurajuese që edhe Qeveria do të përfshijë një buxhet për këtë çështje. Ne kemi riaktualizuar këtë temë, në kuadër të forumit ekonomik të grave, që kanë diskutuar për këtë temë dhe besojmë që është koha e duhur për t’i diskutuar prapë”, tha Hashani.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se rekomandimet e Institutit Riinvest, tashmë janë pjesë e planeve të MASHTI-t. Ndërsa tha se diskutimet në këto forume kanë rëndësi dhe ndikim në shoqëri, pasi sipas saj Kosova përballet me një përfshirje më të ulët në edukimin e hershëm.
“Shumë nga rekomandimet janë pjesë të planeve tona. Diskutimi në forume të tilla është i rëndësishëm dhe ka ndikim në shoqëri. Në Kosovë akoma përballemi me një përfshirje të ulët në edukimin e hershëm. Edukimi i hershëm është paraqitur prioritet i qeverive. Aktualisht vetëm 19.9 për qind të fëmijëve janë të përfshirë në edukimin e hershëm. Qëndrojmë më mirë për përfshirjen në edukimin parafillor. Në të ardhmen investimi në zhvillimin e hershëm kthehet në zhvillim e shoqërisë”.
“Edukimi i hershëm ndikon edhe në zhvillimin e gjithmbarshëm të një vendit dhe ëhstë edhe prioritet i qeverisë synohet edhe edukimi cilësor. Ne po punojmë për projektligjin për edukimin e hershëm. Projektligji do të jetë për tri javë në qQeveri e pastaj do të kalojë edhe në Kuvend. Plani strategjik i arsimit do të finalizohet deri në muajin mars. Kemi ndarë 5 milionë euro për fëmijët në edukimin e hershëm. Një vëmendje të veçantë do të kenë edhe zonat rurale, ku do të subvencionohen fëmijët që vijnë nga zonat rurale”, tha ministrja Nagavci.
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, tha se shkollimi parashkollor ka rëndësi edhe për zhvillimin ekonomik, ku jep efekte te fëmijët dhe prindërit.
“Në rastin e Kosovës e liron gruan që të marrë pjesë në tregun e punës. Pjesëmarrja e fëmijëve në edukimin parashkollor është i vogël. Janë 100 çerdhe private në Prishtinë që japin kontribut të veçantë. Kërkojnë rregullim më të mirë dhe kërkojmë bashkëpunim me ministrinë. Ne kemi një interesim shumë të madh për përfshirjen e sektorit privat në këtë drejtim. Kemi premtuar se do të orientohemi kah subvencionimi i prindit. Një prej barrierave kryesore është edhe kostoja për të dërguar fëmijën në çerdhe. Në çerdhe publike është e ulët, e ndërsa në çerdhe private është shumë më e lartë dhe këtu duhet te gjendet një balancë. Andaj kemi interesim të hyjmë në detaje që është modeli i partneritetit publiko-privat. Modeli tjetër është subvencionimi i prindërve me kuponë”, tha Zogaj.
Majlinda Zhitia, profesoreshë në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, tha se 15-vjeçarët kanë treguar rezultate më të ulëta sesa fëmijët që kanë qëndruar në qendrën për edukimin e hershëm.
“Kam evokuar me vite për trajtimin e fëmijëve në edukimin e hershëm. 15-vjeçarët tanë kanë treguar rezultatet më të ulëta sesa fëmijët që kanë qëndruar në qendrën për edukimin e hershëm. Kujdesi duhet të jetë i madh se çka duhet t’u ofrohet fëmijëve. Fëmijët e moshës 5 vjeçare ndjekin 10 lëndë dhe janë të ngarkuar me detyre të shtëpisë që bie ndesh me nevojat zhvillimore të fëmijëve”, ka thënë Zhitia.
Artan Avdiu, nga Fondi për Zhvillim të Komunitetit, tha se si synim kanë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në komunitet. Ai u shpreh se këto diskutime me tema specifike jo shumë shpesh gjejnë përkrahje nga donatorët.
Në fund, Riinvest ka propozuar 7 modele për zgjerimin e rrjetit të kujdesit për fëmijë: 1. Zgjerimi i kujdesit publik të financuar nga shteti, 2. Partneritetet Publiko-Private Partneriteti publiko-privat (PPP), 3. Inkurajimi i bashkë-financimit privat të përkujdesjes për fëmijë, 4. Zgjerimi i qendrave të kujdesit për fëmijë me bazë në komunitet, 5. Subvencionimi i fëmijëve në çerdhet private, 6. Subvencionimi me kupon për prindërit e fëmijëve 0-6 vjeç dhe 7. Modeli i zgjerimit të qendrave të kujdesit përmes ndërmarrjeve sociale.