Demokraci për Zhvillim (D4D) ka lansuar punimin “Ide për diskutim: Sugjerime për Strategjinë e ardhshme të Punësimit”, me ç’rast u tha se numri i grave të punësuara vazhdon të jetë i ulët, raporton Ekonomia Online.
Në prezantimin e këtij punimi, theks të veçantë iu dha kërkesës së grave për t’u punësuar, për të cilën thanë se ka rënë numri i kërkesës për punësim.
Autorja e këtij punimi, Ardiana Gashi, tha se në Kosovë ekziston edhe ndarja gjinore në profesione. Për gratë tha se janë të fokusuara në shëndetësi dhe arsim, ndërsa meshkujt, në ndërtim dhe prodhim.
“Gjatë punës jemi fokusuar në grupet që kanë mbetur jashtë mbështetjes. Ekziston pabarazi edhe në pjesëmarrje në tregun e punës. Gratë kanë pjesëmarrje të ulët në tregun e punës dhe është brengosëse sepse nuk janë duke kërkuar as punë. Shkalla e papunësisë është shumë e lartë në krahasim me burrat. Ne Kosovë jemi 50-50 në popullsi, dhe gratë në Kosovë e kanë statusin e punëtorit”.
“Ekziston ndarje gjinore në profesione në Kosovë. Gratë janë në sektorin e shëndetësisë e arsim. Burrat janë në ndërtimtari, prodhim. Gratë paguhen 6 për qind më pak se burrat. Ligji i punës ofron të drejtën për 9 muaj me pagesë dhe 3 pa pagesë për lehona ndërsa dy ditë me pagesë dhe dy javë pa pagesë për baballarët. Formalizimi i punës së padeklaruar duke u fokusuar në stimuj të ngjashëm me masat e ndërmarra në kuadër të pakos së rimëkëmbjes ekonomike”, tha ajo.
E deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka thënë se doracakun do ta dërgojë në Kuvend që të informohen edhe deputetët.
“E kemi miratuar rezolutën për zhvillim të qëndrueshëm. Ne si Këshill kemi dhënë disa vërejtje sidomos kur bëhet fjalë për gratë dhe rininë. Ka ardhur koha që ne po i ikim realitetit në teren. Nëse fillojmë reformën zgjedhore ku ende ka shumë pengesa sepse po mendohet që 30% të jetë grua apo vajzë të jetë e mjaftueshme. Në rast se në listat zgjedhore do të jetë çdo e dyta grua do të jetë përfaqësim i dinjitetshëm”.
“Pse me ndodh ky nenpërfaqësim për gratë dhe vajzat kur kemi shumë të shkolluara. Fuqizimi i grave në vendimmarrje do të jetë motori që gratë dhe vajzat do të jenë ato që do ta tërheqin një grua apo vajzë tjetër. Fatkeqësisht ne konsumojmë shumë helme dhe dëshirojmë ta stimulojmë prodhuesin vendor. Ne vizituam zonjën Fahrije (Hoti) dhe e shohim se çfarë modeli grua është dhe isha aq e motivuar ku ka arritur zonja Fahrije dhe gratë atje. Dëshiroj që ligji sa më i kompletuar të vijë në kuvend. Qëllimi është që këto ligje ti ndryshojmë për të mirë”, tha ajo.
Bjondina Rexha, konsulente në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, tha se problem i mungesës së punës është edhe për meshkujt. Ajo foli për Ligjin e punës, e cila e rregullon pushimin prindëror.
“Punësimi është problem si për meshkuj ashtu edhe për gratë. Duhet me pa si part-time dhe duhet të kthehet si mundësi që të përdoret në të ardhmen. Kyç ka me qenë edhe strategjia zhvillimore kombëtare. Ne jemi në finalizim të ligjit të punës që do të rregullojë pushimin prindëror. Do ti rregullojë edhe disa hapësira që janë keqpërdorur nga bizneset. Ministria po mundohet edhe me rrit numrin e çerdheve”, tha ajo.