Për dy ditë më radhë, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të jetë i hapur për bashkatdhetarët të cilët dëshirojnë t’i vizitojnë hapësirat e këtij institucioni. Ky aktivitet është tashmë tradicional dhe organizohet në kuadër të javës “Bashkatdhetarët në Kuvend”, raporton Ekonomia Online.
Por mungesa e një organizimi më të mirë, i irritoi ata pak vizitorë. Ata kërkuan që në këtë ditë të ketë më shumë deputetë e jo për t’i parë hapësirat e Kuvendit.
Shahin Shahini me vendbanim në Zvicër, ka thënë për Ekonomia Online se për dy orë ka qëndruar në këto hapësira por që nuk i ka pritur askush.
“Erdhëm sot por nuk jemi aq të kënaqur se nuk na ka pritur askush. Ish dashtë me pas të caktuar me qenë kryeministri apo deputetë me na përcjellë se na flasim e s’ka kush i pranon. Ne jemi 4-5 vetë dhe i kemi të drejtat tona, ka qenë dashtë me na prit dikush me pas kohën e caktuar. Me qenë dikush prej deputetëve po nuk ka qenë askush, dhe mua ma kanë humbur kohën kotë. Prej Gjilanit kanë ardhë ata shokët aty, dhe në fund asnjë përgjigje”, tha ai.
Por të vetmit në Kuvend, ishin deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli dhe shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri. Ky i fundit kritikoi Kuvendin për mënyrën sesi janë pritur diaspora.
“Pata rastin me u taku me diasporën por në radhë të parë do të duhej me qenë një organizim pak më i mirë i kuvendit për bashkatdhetarë. Këta janë të interesuar me pas bashkëbisedim me deputetët E kuvendit. Dhe sot e nesër do të kemi vizita dhe kjo është arsyeja pse kam qen sot në kuvend. Fatkeqësisht nuk pat një organizim i cili do të duhej ishte shumë më i mirë. Ata kanë nevojë për bashkëbisedim me neve nuk kanë nevojë për t’i parë sallat e kuvendit”, tha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, arsyetoi mungesën e kolegëve të tij në këtë aktivitet. Tha se me qytetarët nga diaspora ka folur për mbarëvajtjen e punimeve në Kuvend.
“Jam informuar se sot edhe nesër është me dyer të hapura parlamenti për bashkatdhetarë. Ne kishim edhe të premten si grup i VV-së me bashkatdhetarë një ditë të tërë në kuvend. I kemi pritur dhe iu kemi shpjeguar procedurat e miratimit të ligjeve. Bashkatdhetarët janë të mirëseardhur në kuvendin e Kosovës dhe të shohin edhe deputetët edhe ambientet ku punojmë. Me siguri që tash këto orët në vijim do të vijnë më shumë deputetë për shkak se unë u njoftova që sot do të vijnë në kuvend. Erdha të pres bashkatdhetarë”, tha ai.
Ata pak qytetarë, patën mundësi të shohin sallën e mbledhjeve plenare, pjesën e dhuratave, korridorin me çelësa që simbolizon personat e zhdukur në luftë. Ky aktivitet do të jetë i hapur deri nesër në ora 16:00.