Numër shumë i vogël i personave kanë protestuar sot para selisë së Federatës së Kosovës, e cila ka shkaktuar pakënaqësi e reagime të shumta që nga e shtuna, kur Federata e Futbollit të Kosovës prezantoi logon e saj të re, e cila nuk po pëlqehet nga tifozeria e Kosovës “Dardanët” dhe qytetarë të tjerë.
Në protestën në të cilën pati më shumë gazetarë sesa protesues, dhe e cila u organizua nga anëtari i grupit “Prishtina Designers”, Arben Lezi, u kërkua ndryshimi i logos.
“O dhondërr, u bonëm horë…” ishte parulla që vendosën disa nga protestuesit, si kritikë ndaj faktit që fitues i konkursit për logon është shpallur dhëndrri i drejtoreshës së marketingut në FFK, Diturie Hoxha.
Nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, dhe sekretari i përgjitshëm, Eroll Salihu, kanë pritur në takim Lezin dhe disa protestues.
Pas takimit, organizatori i protestës tha se në takim u bë e ditur që logoja është aprovuar nga kryetari i ndjerë Fadil Vokrri dhe nuk mund të ndërrohet para një periudhe dyvjeçare, derisa u pajtua me këtë fakt.
Lezi tha se sygjeruan që të bëhen hetime për rastin e drejtoreshës së marketingut dhe angazhimin e saj në këtë proces, derisa në anën tjetër tha se nuk duan të shkojnë në prokurori pasi Vokrri e ka zgjedhur logon.
“Në takim Federata na tha që logoja është aprovuar para vdekjes së të ndjerit Vokrri, s’kemi mundësi para dy viteve edhe nëse duam ta ndërrojmë, mirëpo zgjedhja ka qenë personalisht e tij nga tri propozimet që i janë dërguar atij. Forma si kanë shkuar propozimet mbetet e dyshimtë. Ne sygjeruam të bëhen edhe hetime për rastin e drejtoreshes së marketingut dhe angazhimin e saj në këtë proces, përndryshe logon e bajshim me shëndet këtë që e kemi. Nuk kisha propozuar te shkojmë atje (në prokurori) pasi Vokrri e ka aprovuar këtë logo”.
Para takimit, Lezi tha se logoja e përzgjedhur është shumë e dobët dhe, sipas tij, ai është dashur që të publikohet para se të shtypet në fanella, në mënyrë që të kishte mundësi me reagime e më pas edhe ndryshime eventuale, raporton Ekonomia Online.
“Federata na ka qitur para aktit të kryer. Logoja nuk është parë para se të shtypet në fanella, me bo një reagim. Kur tash ne kemi reaguar ju po na thoni që është shumë vonë për të bërë një ndryshim. Po e kalojmë këtë, fakti që është zgjedhur punimi i dhëndrrit të shefës së marketingut është edhe një fakt më shumë që diçka ka ndodhur. Edhe te kishte bërë dhëndrri, të ishte e mirë edhe po të mos ngjallte kaq shumë reagime, logo është simbol që përfaqëson krejt Kosovën. Ju e keni bërë një logo më të dobëtën të mundshme. Unë jam dizajner me 15 vjet eksperiencë, jam prej komunitetit të dizajnerëve”.
Para takimit, Agim Ademi u shpreh i gatshëm të takohet me protestuesit.
“Jemi të gatshëm që të ju presim të gjithëve dhe të shprehni shqetësimet tuaja, do të mundohemi të bëjmë më të mirën”.
Sekretari Salihu tha se logoja ka qenë fillimisht ka qenë kuq e zi por janë hequr elementet folklorike pas UEFA e FIFA kanë kërkuar që logoja të jetë moderne.
“Ka qenë kërkesë e UEFA-s dhe FIFA-s qe të modernizohet logoja. Ajo logo e kaltër e kemi bërë së bashku në komitet ekzekutiv, si autor jozyrtar jam unë, ka qenë kuqezi, është dashur të hiqen elementet folklorike në mënyrë që të identifikohet me federatën tonë”.
“Qëllimi i komitetit ekzekutiv dhe kryetarit të ndjerë Fadil Vokrri ka qenë me i involvu të gjitha palët e interesuara, kemi mundur ta bëjmë vetë, të mos e pyesim askënd por nuk ka pasur efekt. Për këtë arsye e kemi autorizu shërbimin e marketingut për një tender në mënyrë që të gjithë me kandidu dhe me dhënë edhe shikuesit, edhe ekspertët. Ia kemi lënë në dorë ekspertëve. Pesëshja e komisionit janë ekspertë të lëmisë së vet. Jemi vonuar për logo dhe UEFA na ka dhënë një afat shtesë për me çu për UEFA Nations League”.
Salihu premtoi se pas ciklit kualifikues për Ligën e Kombeve nëse opinioni është i pakënaqur do të hapin tender për logo të re.
“Ju premtojmë se nëse opinioni pas këtij cikli kualifikues nuk është i kënaqur do të hapim tender të ri.”
Salihu ka thënë se nuk e kanë ditur që fituesi i shpallur është dhëndrri i i drejtoreshës së marketingut në FFK, por tha se këtu nuk ka konflikt interesi.
Federata e Futbollit të Kosovës prezantoi ditë më parë fanellat e reja të Kombëtares ku sponsor i ri do të jetë kompania zvicerane “Fourteen”.
Bashkë me fanellat, u prezantua edhe logoja e re e FFK-së që ka shkaktuar shumë pakënaqësi e reagime te adhuruesit e futbollit që kanë reaguar në një apo tjetër mënyrë në rrjetet sociale.
Me logon e re i pakënaqur është edhe kryetari i tifozerisë së Kosovës “Dardanët”, Lulzim Berisha, por nuk ka qenë i pranishëm në protestë.